Gjendja e rrugës që të çon tek QKMF-ja "Nexhat Çuni" në Mitrovicë, 06.01.2025 Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Investim 6 milionësh në objektin e QKMF-së në Mitrovicë të Jugut, rruga që të çon aty e papërfunduar - VIDEO
Projekti i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nexhat Çuni” në Mitrovicë të Jugut i cili u përurua më 06.01.2025 kushtoi plot 6 milionë e 16 mijë e 953 euro.
Ndonëse Bedri Hamza së bashku me humanistin Halil Kastrati, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi e prenë shiritin për përurimin e kësaj qendreje, hyrja dhe rruga që të çon aty ende nuk janë gati.
KALLXO.com ju sjell pamje të infrastrukturës së dobët që dukej, para se pacientët të mbërrijnë tek objekti i përuruar të hënën më 06.01.2025.
Fjalën hyrëse e kishte drejtori i Shëndetësisë së Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fahri Shabani, i cili shpjegoi se para ndërtimit të këtij objekti, kjo QKMF ka funksionuar në një ndërtesë të stërvjetëruar me kushte shumë të papërshtatshme të punës dhe me vështirësi të madhe të qasjes për pacientë.
Sipas tij, objekti i vjetër kishte hapësira të ngushta dhe të pamjaftueshme për nevojat e QKMF-së sepse në të njëjtën ndërtesë funksiononin edhe ambulancat specialistike të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës. Tutje ai potencoi se çka do të ofrojë tashmë QKMF-ja e re.
“QKMF-ja e re është ndërtësë moderne me 8500 metra kator. Ka bodrumin, e cila ofron kushte shumë të mira të punës, hapësira të mjatueshme dhe qasje shumë të lehtë për pacientët. Këtu do të ofrohen shërbimet e shëndetësisë primare pra mjekësisë familjare, stomatologjisë, urgjencës, laboratorit të analizave, vaksinimit, shërbimet radiologjike pëfshirë mamografinë, barnatoren qëndrore, depon e barnave, këshillimore për sëmundjet kronike, hapësirat për aktivitetet e edukimit shëndetësorë, hapësira të mjaftueshme për aktivitete arsimore dhe edukative të nxënësve, studentëve dhe specializantëve. Do të kenë biblotekën, arkivën, sallat për trajnime e hapësirat për pushim”- tha Shabani.
Sipas drejtorit, vlera totale e investimit për ndërtimin e kësaj qendreje shëndetësore, përfshirë rregullimin e oborrit është 6 milionë e 16 mijë e 953 euro. Teksa shtoi se 80% e shumës është donacion i shoqatës “Jetimat e Ballkanit” sipas tij “një dhuratë kjo për qytetin e Mitrovicës”.
Ndërsa humanisti nga shoqata “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati kishte një këshillë për stafin e pacientët.
“Uroj të ketë sa më pak pacientë. Ju lutem mirëmbajeni si shtëpinë tuaj. Uroj që të keni jetë e shëndet, të tilla projekte të mëdha me i realizu për Kosovën tonë të dashur. Mitrovicë e gëzofshi!”- tha Kastrati.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza tha se ky projekt u realizua falë fushatës “Jetimat e Ballkanit” duke e cilësuar si simbol të transfromimit të kujdesit parësor shëndetësor.
“Qendër moderne e pajisur me aparatet e nevojshme që të vijnë në shprehje te dëshira juaj për të ofruar shërbimet më të mira për qytetarët. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë nuk është vetëm një objekt i thjeshtë, ai është simbol i transfromimit të kujdesit parësor shëndetësor në Kosovë dhe i përmbushjes të premtimeve që u japim qytetarëve tanë”- tha kryetari.
“Punësuam mbi 100 profesionistë të rinj për t’i fuqizuar ekipet shëndetësore në shëndetin parësor. Ndërtuam katër qendra familjare të reja. Në Iliridë, Koshtovë, Frashër e Stan Tërg. Renovuam nëntë qendra mjekësore në zonat urbane dhe rurale. Kemi rritur buxhetin për subvencione të shpenzimeve për barna dhe trajtime mjekësore duke ndihmuar mbi 2700 qytetarë me një fond prej 300 mijë eurosh”- përfundoi Hamza.