
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Ardian Gjini nuk pranoi përballjen me premtimet e tij - Si u qeveris Gjakova për tri vjet?
“A erdha tash, a kam ardhë masi i kom fitu të kalumet, patjetër që vi”- ishte njëri nga premtimet që i pari i Gjakovës, Ardian Gjini e kishte dhënë në emisionin “Debat Pernime” në vitin 2021 përballë autores së emisionit ‘Jeta në Komunë’, Jeta Xharra.
Por tre vite pas, Gjini nuk pranoi që të përballej me premtimet e tij dhe gjetjet e ekipit të “Jeta në Komunë”, të cilët për javë me radhë dolën në terren për të verifikuar punët që ishin kryer. Ata që arsyetuan kryetarin ishin drejtorët e komunës.
E në shenjë revolte dhe proteste pse Gjini nuk mori pjesë, pjesëmarrjen e anuloi edhe opozita në këtë debat. Ardian Gjini në Gjakovë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Arsyeja e mospjesëmarrjes tonë, është ikja e kryetarit të Komunës nga debati dhe frika e tij me përballjen me argumentet tona, njëherë konsiderojmë që nuk ia vlen të debatohet me drejtorë Komunal, kur dihet botërisht se janë po këta drejtorë të cilët në secilën mbledhje të Asamblesë Komunale, nuk janë të gatshëm asnjëherë të përballen me pyetjet e argumentet tona, por fshihen prapa kryetarit të Komunës”- thuhet në reagimin që Shefja e Grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes i dërgoi ekipit të “Jeta në Komunë”.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, kandidati i AAK-së, Ardian Gjini, e fitoi garën për të parin e Komunës së Gjakovës me balotazh ndaj kandidates së Alterantivës, Mimoza Kusari-Lila. Në debatin e “Jeta në Komunë”, Gjini kishte premtuar projekte të ndryshme të cilat do të ishin në të mirë të qytetarëve të Gjakovës.
Premtimet e Ardian Gjinit për Gjakovën
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka verifikuar disa nga premtimet e dhëna nga Gjini. Sipas verifikimit në terren, disa prej tyre dalin se nuk kanë përfunduar e disa janë duke u kryer.
Gjini kishte premtuar se do të hapin dy çerdhe të reja në Novosellë dhe Çabrat. Ekipi i “Jeta në Komunë” ka vizituar këto dy çerdhe dhe të njëjtat janë funksionalizuar.
“Çerdhja në Çabrat është hapur në tetor të vitit 2022 dhe është funksionale, çerdhja në Novosellë të ulët ka përfunduar në tetor 2022 dhe është funksionale”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Gjakovës për KALLXO.com.
Një premtim tjetër i Gjinit ishte edhe ai për impiantin e ujërave të zeza në Gjakovë. Gjini pati thënë se është në prag të përfundimit dhe do të lëshohet në vjeshtën e vitit 2022. Tutje ai kishte shtuar edhe se impianti në fshatrat Skivjan e Marmull kishin përfunduar.
Ekipi i “Jeta në Komunë” kishte verifikuar premtimin dhe kishte gjetur se impianti në Skivjan e Marmull ishin jashtë funksionit. Kjo për faktin se nuk kanë pranim teknik ndërsa Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Gjakova” kishte fajësuar Komunën se nuk i kishin dërguar dokumentet.
Fillimisht komuna ka thënë në disa përgjigje për KALLXO.com se impianti në Marmull e Skivjan janë funksionale.
E kur ekipi ka pyetur KRU “Gjakova” për këtë çështje, ata kanë thënë se nuk janë funksionale për shkak se nuk është bërë pranim-dorëzimi i projekteve.
“Sipas marrëveshjes së datës 23.08.2023 ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe Ujësjellësit KRU Gjakova, kemi pranuar asetet e rrjetit të ujërave të ndotura dhe menaxhimin e tyre. Megjithatë, në përputhje me pikën 1.17 të marrëveshjes, menaxhimi i impianteve në Marmull dhe Skivjan do të kalojë në menaxhimin e KRU-së vetëm pas pranimit të raportit teknik dhe dokumentacionit shtesë nga Komuna e Gjakovës”- thuhej në përgjigjet e KRU Gjakovës.
E sipas tyre, transferimi nuk ishte realizuar për shkak të mungesës së raportit të pranimit teknik.
“Si pasojë, asetet e këtyre dy impianteve, të cilat aktualisht janë jofunksionale, nuk kanë kaluar ende në menaxhimin e KRU Gjakovës. Vlen të theksohet se këto impiante janë ndërtuar nga Komuna e Gjakovës, dhe KRU Gjakova nuk mban përgjegjësi për funksionalizimin e tyre. Ndërkohë, Impianti i Ujërave të Ndotura në Gjakovë është inauguruar më 11 maj 2023 dhe është plotësisht funksional, duke operuar me të gjitha kapacitetet e tij nën menaxhimin e KRU Gjakova”- thuhet në përgjigjen e KRU “Gjakova” për ekipin e “Jeta në Komunë”.
Shkumbin Kastrati, drejtor i Infrastrukturës dha detaje në lidhje me impiantin e ujërave të zeza në Marmull dhe Skivjan.
“Sa i përket impiantit në Skivjan, është përfundu 7-8 vite më parë, ka qenë funksional ka qenë në menaxhim të përkohshëm të Kuvendit Komunal, për faktin se në atë kohë ska qenë e qartë përgjegjësitë rreth kanalizimeve me Ministrinë e Mjedisit. Për momentin impianti në Skivjan është në negocim me KRU Gjakovën për pranim-dorëzimin e aseteve për shkak se i takon me ligj”- thotë drejtori Kastrati.
Jeta Xharra kërkoi të dijë se sa vite ka që impianti në Skivjan është jashtë funksionit.
“Impianti në Skivjan i ka tri vite që nuk është funksional qind për qind. Kanalet e ujërave të ndotura futen përmes kanalit por ai impiant ka nevojë për mirëmbajtje dhe ka nevojë për ekspertë të fushës për mirëmbajtje. Impianti në Skivjan është bërë me donacion, dhe Komuna e Gjakovës e ka pas në shfrytëzim për një periudhë të caktuar kohore, me ligjet në fuqi, impianetet duhet të kalojnë në menaxhim të KRU-ve rajonale”- tha Kastrati.
Ai pranoi se ky impiant nuk ka pranim teknik.
“Pranimin teknik duhet me bë investitori fillimisht që e bën nën mbikëqyrje të kuvendit komunal dhe KRU Gjakova. Meqenëse të thirrur për këtë fushë janë KRU-të rajonale, ata janë kompetent me u marrë me këtë”- tha tutje Kastrati.
I njëjti komentoi edhe përgjigjen e KRU Gjakova të cilët për ekipin e “Jeta në Komunë” thanë se impianti nuk ka pranim teknik.
“Problemi është teknik. Kostoja e mirëmbajtjes së impiantit është e lartë sepse punon me rrymë, kemi bisedu me Hasanin (kryeshefin e KRU Gjakova) bashkë edhe me kryetarin dhe ekspertë të fushës dhe problemi ka qenë për angazhimin e njerëzve për mirëmbajtje të impiantit”- tha Kastrati.
Një tjetër premtim i Gjinit ishte edhe për kanalizimin në fshatin Rogovë.
“Edhe në Rogovë është kontraktu komuna për kanalizimin, për dy javë vjen, por nuk e di çka keni!”- kishte premtuar Gjini.
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka verifikuar se projekti për kanalizimin ende nuk ka përfunduar. E për ndërtimin e stadiumit në Gjakovë, projekt ky në bashkëfinancim me nivelin qendror, Gjini kishte kërkuar vetëm votimin e buxhetit nga Asambleja.
“Votojeni buxhetin e keni stadiumin të buxhetuar unë ko me ja dhezë dritat stadiumit të Gjakovës, edhe reflektorët, edhe semaforat”- kishte thënë Gjini në debatin kundër kandidatëve të tij për të parin e Gjakovës.
Nga verifikimi në terren që ekipi i “Jeta në Komunë” e ka bërë gjatë muajit tetor, doli se ende nuk ka përfunduar projekti. Komuna ka thënë se projekti pritet të përfundoj në vitin 2026.
“Deri më tani është përfunduar një tribunë ndërsa në tri të tjera dhe në fushë po punohet paralelisht. Projekti në tërësi pritet me përfundu në vitin 2026”- thuhet në përgjigjet e komunës.
As projekti për montimin e dyerve të sigurta në banesat kolektive nuk ka përfunduar. Kjo pasi që komuna thotë se Zyra Kombëtare e Auditorit ka thënë se duhet të rishikohet lloji i investimit për këtë çështje.
“Nuk kam mujtë me mbajtë premtimin mandatin e kaluar, do ta mbaj sivjet është në procedurë të tenderimit po besoj që për 1-2 javë do të filloj montimi i dyerve të sigurta, interfonëve kamera në të gjitha banesat kolektive është në tenderim dhe do të fillohet të punohet”- kishte premtuar Gjini.
“Ende nuk janë përfunduar të gjitha dyert në çdo banesë kolektive. Nga Auditori na është kërkuar të mos i kategorizojmë si investime kapitale sepse të gjitha janë prona private. Komuna duhet të rishikoj llojin e investimit”- thuhet në përgjigjet e komunës për këtë çështje.
Gjini kishte premtuar se do të emërojë më shumë se tri drejtoresha në krye të drejtorive në Gjakovë ndërsa nga verifikimi në terren del se numri nuk është rritur.
“Si pjesë e ekzekutivit të Komunës së Gjakovës janë tri gra drejtoresha, Drejtoresha e Arsimit, e Kulturës dhe e Shëndetësisë”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Një premtim tjetër është edhe për furnizim me ujë për fshatrat e Gjakovës.
“Duhet me shku dikun 500 mijë euro deri në 700 mijë euro për ujë të pijes për Gerçinë, Bitesh edhe për edhe për një lagje në Kralan që kanë mbetë. 44 fshatra janë lidh me ujë dy vjet që po i lemë pas, uji duhet me u kry”- kishte premtuar Gjini.
Aktualisht në bazë të të dhënave në terren fshati Gerçinë nuk ka furnizim të plotë me ujë të pijes.
“Gjatë 5 viteve të fundit 45 fshatra janë kyçur në ujësjellës, probleme me furnizim me ujë ka vetëm fshati Gerçinë”- ka thënë komuna për “Jeta në Komunë”.
Arsyet e ekzekutivit për premtimet e papërfunduara të Gjinit
Një nga premtimet e Gjinit ishte edhe ndërtimi i shkollave të reja në Gjakovë për të cilin foli edhe drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Baci.
“Shkollat në Dermjan është ndërprerë, punimet janë ndërprerë janë fondet e BE-së dhe është kontratë nga MASHTI, kurse shkolla në Ponoshec është në ndërtim e sipër, po ashtu është donacion nga MASHTI. Deri në fund të vitit të ardhshëm pritet me përfundu”- tha Baci.
Jeta Xharra kërkoi nga drejtoresha të dijë se pse nuk kishin nisur më herët punimet për këto shkolla ndërsa Baci u përgjigj se janë projekte nga MASHTI jo nga komuna.
“Kontrata tenderi, komplet investimi është i MASHTI-t. Ka filluar para dy viteve. Ne si komunë jemi duke rinovuar shkollën në Prekoc dhe disa shkolla të tjera i kemi kry me Fondin Kosovar për Efiqiencë”- tha Baci.
Një tjetër çështje që u ngrit në debat ishte edhe se Gjini kishte premtuar se të gjitha shkollave në Gjakovë do ua hiqte stufat dhe do të instalonte sistemin e ngrohjes por ekipi i “Jeta në Komunë” kishte gjetur se në fshatin Rogovë, institucioni parashkollor ngrohej me stufë me dru.
Për këtë u tha edhe se fëmijët parashkollorë do të barten më pas në cerdhen e re që po ndërtohet vetëm pak metra më pas.
Tjetri premtim ishte edhe ai i ndërtimit të Stadiumit të Gjakovës. Drejtori i Financave, Durim Halilaj tha se stadiumi pritet të përfundojë në vitin 2025. Përgjigja e komunës për këtë çështje ishte se projekti pritej të ndërtohej në vitin 2026 ndërsa Halilaj u ballafaqua me këto dy përgjigje të kundërta me njëra tjetrën.
“Punimet në stadium janë duke vazhduar. Komuna e Gjakovës me të hyra vetanake mbi 3 milionë euro ka investuar dhe ka nënshkruar kontratë. Stadioni tash e kemi edhe një memorandum me Ministrinë e Kulturës e cila i lidh kontratat dhe po besoj se nëse dalin mjetet në buxhetin për m`u buxhetu kontratat ne do të vazhdojmë punimet për shkak se operatori ekonomik është i përgjegjshëm dhe është duke punuar”- tha Halilaj.
“A kryhet në vitin 2025, 2026 apo 2027”- ishte pyetja e Jeta Xharrës ndaj drejtorit Halilaj.
“Të gjitha parametrat janë që të funksionalizohet në vitin 2025 në fund të vitit 2025 të luaj kombëtarja ndeshjet ndërkombëtare edhe për Gjakovën”- tha Halilaj.
Ai dha shpjegimin edhe se pse komuna tha se do të përfundonte projekti në vitin 2026.
“Në koordinim me Ministrinë e Kulturës, me ministrin neve i kemi lidhë kontratat tash nëse mjetet dalin jo siç është paraparë për tri vite por ka thënë se i rialokoj mjetet, ato vazhdojnë me ec dhe m`u kry punimet. Ne po e kemi telashe që po na heqin mjetet nga buxheti i shtetit”- tha Halilaj.
Halilaj dha detaje edhe për sistemin e ngrohjes nëpër shkolla.
“Një ndër pyetjet më të mira kur kemi ardhë në qeverisje Komuna e Gjakovës i ka pas prej 48 shkollave i ka pas 32 me stufa, përfundimisht edhe shkolla e fundit është duke u kryer me nxemje qendrore dhe të gjitha shkollat i kanë sistemin”- thotë Halilaj.
Drejtori i Financave dha përgjigje edhe për premtimin e Gjinit për ndriçim në të gjitha fsahtrat e Gjakovës.
“Në vazhdimësi Komuna e Gjakovës, investon me ndriçim publik. Problemet e atyre fshatrave këto që po i përmend, ndodh që KEDS-i i ndërron shtyllat dhe hiqet ai ndriçim duhet me u vendos ndriçimi i ri për shkak të shtyllave të reja që vendosen në ato fshatra. Besoj që Komuna e Gjakovës sot ka mbi 95 përqind me ndriçim publik”- tha Halilaj.
QKMF pa pranim teknik e ujë brenda sallës emergjente
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është ndërtuar në rrugën “Marin Barleti”. Promovimi si funksional i këtij objekti ishte bërë më 15.09.2021 nga kryetari Ardian Gjini. Kanë kaluar më shumë se tri vite që kur është funksionalizuar objekti por që ende vazhdon të jetë pa pranim teknik. Drejtoresha e Shëndetësisë, Adelina Shehu- Kola pranoi se objekti nuk e ka pranimin teknik ndërsa shpjegoi edhe se mbeti kështu për shkak të kompanisë që kreu punimet.
Një tjetër çështje të cilën kanë ngritur punëtorët e QKMF-së për ekipin “Jeta në Kosovë” ishte edhe hapësira e garazhës së QKMF-së, e cila nuk i posedon parametrat e caktuara për të futur një autoambulancë.
Disa herë kur ka pasur reshje të shiut në Gjakovë, bodrumi i QKMF-së ishte përmbytur për shkak se nuk është kryer projekti siç duhet ndërsa Drejtori i kësaj qendre Arben Koshi ka thënë për ekipin “Jeta në Komunë” se nuk janë realizuar tri pozicione të projektit nga kompania e kontraktuar ndërsa menaxheri i kontratës nuk e ka pranuar ndërtimin e objektit sipas specifikave të projektit.
“Nuk ka ndonjë rrezik në projekt, ne jemi në kontest gjyqësor me kompaninë që nuk i është përmbajtur këtyre tri pozicioneve”- ka thënë Koshi në një përgjigje për ekipin e “Jeta në Komunë”
Edhe për parkingun nëntokësor, Koshi thotë se është i ndërtuar në bazë të specifikave.
“Të reshurat e shiut në sasi të madhe ka shkaktuar problemin e përmbytjes, nuk e ka përçuar një ventil kthyes dhe është mbushur me ujë. Ky problem është identifikuar dhe është rregulluar e nuk kemi pasur ndonjë telashe”- ka thënë Koshi tutje.
Një informacion që kishte marrë ekipi i “Jeta në Komunë” ishte edhe se salla e emergjencës në këtë objekt nuk kishte ujë.
“Jo nuk ka sepse ashtu ishte projekti i vitit 2017”- ka thënë Koshi.
Në anën tjetër detajisht për këtë çështje, Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Shehu- Kola dha detaje se cilat pozicione nuk ishin pranuar nga menaxheri i kontratës.
“Menaxheri i kontratës nuk i ka pranu punimet për shkak të pozicioneve që nuk janë realizu. Aty nuk ka rrezik për shkak që është një rentgen i stomatologjisë, disa tavolina prej 60 metrave që ai i ka pru të drurit e kanë qenë material më i shtrenjtë për shkak të laboratorit të dhëmbëve, edhe e treta është te laboratori, disa zhveshtore dhe disa ku ruhen edhe reagencat. Për shkak të këtyre pozicioneve që nuk i ka plotësu kompania menaxheri i kontratës nuk i ka pranu, atëherë ka filluar edhe padia në gjykatë”- tha Shehu- Kola.
Shehu- Kola tha se nuk janë kryer pagesat ndaj kompanisë për punimet për ato pozicione.
“Po projekti që është bërë ka qenë i ish- qeverisë, aty u pa që edhe vendi nuk është i duhur për një QKMF, sepse janë edhe shkollat aty tjetra është që garazhe është pjesë e ulët që nuk përputhet me autoambulancë, kur është bërë projekti dhe nuk e ka mbikëqyrë dikush. Edhe me pas mundësi edhe nëse lejohet autoambulanca e ka një kogja një problem deri sa të del në pjesën e parme me u nisë. Kështu që çdo ambulantë autoambulancat i le në oborr të tij sepse është urgjencë”- tha Shehu – Kola.
QKMF sipas drejtoreshës ka qenë në bashkëfinancim me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Projekti ka qenë në kohën e Mimoza Kusarit, pa ardhur Gjini në 2017”- tha drejtoresha.
Performanca e Gjakovës në GAP e vlerësimi i auditorit
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit zbuloi se Komuna e Gjakovës në tri mostra që lidhen me projektin e zgjerimit të rrugës “Martirët e Kombit” kishte kryer pagesa më shumë sesa që ishin realizuar punët në terren. Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur për shkak të mungesave të kontrolleve e mbikëqyrjes së dobët.
Në dy raste të tjera, Komuna që drejtohet nga Ardian Gjini u vonua t’i realizonte projektet në kohë. Gjatë vitit 2023, Komuna e Gjakovës nuk arriti t’i inspektonte pronat komunale. Nga 38 mijë e 209 prona, u inspektuan vetëm 4 mijë e 874 apo 13% e tyre.
Auditori gjeti probleme edhe në pagesat për punët e kontraktuara nga Komuna. Vonesat u regjistruan deri në 191 ditë kalendarike. Sipas Ligjit, Komuna duhet t’i kryejë obligimet brenda 30 ditëve. Edhe gjatë vitit 2022, Auditori gjeti parregullsi në Komunën e Gjakovës.
Komuna u kritikua për menaxhim jo të mirë të veturave komunale. Komuna nuk ka një regjistër për shfrytëzimin e veturave e përdorimin e tyre, nga zyrtarët komunalë.
Auditori konstatoi vonesa në vlerësimin e tenderëve. Në një rast, Komuna ishte vonuar më se 40 ditë nga hapja e tenderëve. Kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve të pamjaftueshme, nga Komisioni vlerësues.
Gjatë vitit 2022, Komuna që drejtohet nga Ardian Gjini, u kritikua për inspektimin e pronave komunale – ku prej 38 mijë e 209 pronave u inspektuan vetëm 11% e tyre.
Performanca e komunës është matur në 16 fusha. Gjakova e zë vendin e 28 në shërbimet sociale, vendin e 17 në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike vendin e 24 në fushën e transportit publik. Gjakova është komuna e 14 në mbrojtjen e mjedisit dhe e 21 në kujdesin shëndetësor.
Në anën tjetër, sipas GAP-it nga 35 premtime të cilat i ka dhënë Ardian Gjini, 12 janë të përfunduara, 8 gjysmë të përmbushura, 7 premtime të filluara dhe sipas GAP-it, funksionalizimi i linjës hekurudhore në Gjakovë, investimet në zbulimin e zonave të reja arkeologjike, përfundimi i fushës profesionale të atletikës, ndërtimi i pishinës olimpike dhe hartimi i planit rregullues për pikën turistike “Maja e Kurorës” premtime këto ende nuk kanë filluar.