Pasaporta e imunizimit me stemë të UNMIK-ut, Foto: KALLXO.com

QKMF në Vushtrri lëshon dokument me stemë të UNMIK-ut

Në qershor të këtij viti Qendra e Mjekësisë Familjare në Vushtrri ka lëshuar pasaporta të imunizimit me stemë të UNMIK-ut dhe jo me atë të Republikës së Kosovës.

Pasaporta e imunizimit është një dokument zyrtar mjekësor që tregon të gjitha vaksinat që një person ka marrë gjatë jetës së tij.

Meqë qytetari nga Vushtrria, Arben Kosumi u zhvendos me familjen në Gjermani, sipas tij, dokumeti i lartcekur qe i domosdoshëm për institucionet shëndetësore gjermane.

Kur ai iu drejtua QKMF-së për ta marrë këtë librezë, stema e Republikës së Kosovës nuk figuronte askund.

“Me habi të madhe, dokumenti i lëshuar nga QKMF Vushtrri mban ende stemën e UNMIK-ut, edhe pse fëmija për të cilin është lëshuar ky dokument ka lindur më 14.09.2020 – shumë vite pas shpalljes së pavarësisë dhe pas transferimit të kompetencave te institucionet e Republikës së Kosovës”- tha Kosumi për KALLXO.com.

Një kopje të këtij dokumenti, qytetari e dërgoi në adresën KALLXO.com.

Ndërkaq forma e rregullt e kësaj libreze është kjo:

Se QKMF-ja ka lëshuar këso pasaporta e pohoi vetë drejtoresha, Naile Xhaka e cila tha se ishte lëshim i bërë nga një infermiere duke mos bërë të ditur identitetin e saj.

Rregullimi i kësaj ngatërrese sipas Xhakës u bë në shtator.

“Ka pasë disa lëshime, mirëpo që këto kartela kanë mbetur prej asaj kohe. Kanë pasur disa plotësime aty ku ka pasur nevojë për pacientët me vaksinim të çrregullt, atyre iu kanë dashur për të dalë jashtë vendit. Në atë mënyrë janë shërbyer një herë me to. Përndryshe ne i kemi krijuar këto librezat e rregullta në krejt kalendarin e vaksinimit dhe jemi në rregull tash. Gabim i rastit ka qenë nga një infermiere dhe ka qarkullu ajo librezë”- sqaroi drejtoresha për KALLXO.com.

Se në sa raste janë përballur me këtë problematikë, drejtoresha e QKMF-së nuk dha detaje.

Sa pasaporta të tilla janë lëshuar, në çfarë periudhe kohore, vendimi për ndalimin e lëshimit të tyre e për masat e ndërmarra ndaj infermierës, KALLXO.com kontaktoi Drejtorinë e Shëndetësisë në këtë Komunë.

As pyetjeve me shkrim, e as telefonatave të KALLXO.com nuk iu përgjigj Lorik Maxhuni, Drejtori i kësaj drejtorie.

KALLXO.com kontaktoi edhe Ministinë e Shëndetësisë të cilët thanë se Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare janë nën menaxhimin e komunave.

As nga Inspektorati Shëndetësor nuk kthyen përgjigje.