Ilustrim

Paraburgim të dyshuarve për rrahjen e nxënësit në Prizren

Gjykata e Prizrenit u ka caktuar 1 muaj paraburgim të pandehurve A.O., dhe M.O.

Të lartcekurit dyshohen se më 9 mars, në një shkollë në një fshat në i kanë shkaktuar lëndime trupore një nxënësit me motivin se ai kishte pasur një mosmarrëveshje të mëhershme me vajzën e të pandehurit A.O.

Sipas njoftimit të pandehurit A.O., dhe M.O., (babë e bir), shkojnë në shkollë dhe derisa ishte duke u mbajtur ora mësimore, e sulmojnë nxënësin duke e goditur me shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit  dhe i shkaktojnë lëndime.

Gjykata, përkatësisht gjyqtarja Shpresa Emra, me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve A.O., dhe M.O., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar, në vazhdim do të merren në pyetje të pandehurit, i dëmtuari, dhe dëshmitarët e tjerë të cilët do të identifikohen.

Gjithashtu për shkak të peshës së veprës penale, në rastin konkret kemi të bëjmë me lëndime trupore të cilat janë shkaktuar të dëmtuarit të mitur.

Në anën tjetër, u konsiderua edhe  mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, ku i mituri është keqtrajtuar në ambientet e shkollës, e cila skenë i ka traumatizuar të gjithë nxënësit dhe personelin arsimor në atë shkollë.

Gjithashtu gjykata ka  marrë parasysh marrëdhëniet dhe raportet e acaruara të palëve, kjo le për të besuar se me lënien e të pandehurve në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale ku mund të shkaktohen pasoja edhe më të mëdha, e për më tepër kur merret parasysh fakti se të pandehurit, të pajisur me armë kanë shkuar për kryer këtë vepër penale.