Pamje - Familjarët duke dërguar furnizime në klinikat ku po trajtohen pacientët me COVID-19

1 mijë e 220 pacientë me COVID-19 aktualisht po trajtohen në të gjitha spitalet e Kosovës. Shifrat e larta të infektimit në dy javët e fundit, kanë bërë që shumë qytetarë të kërkojnë edhe ndihmën e mjekut për t’u përballur me virusin vdekjeprurës.

Sot gjatë ditës, te Klinika Infektive dhe ajo Sportive, janë parë persona duke dërguar ushqim e batanije për të afërmit që po qëndrojnë brenda klinikave, ku trajtohen pacientët me COVID-19.

 

FOTO – Urim Krasniqi – 01.09.2021 – QKUK
FOTO – Urim Krasniqi – 01.09.2021 – QKUK
FOTO – Urim Krasniqi – 01.09.2021 – QKUK
FOTO – Urim Krasniqi – 01.09.2021 – QKUK

Vetëm brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës po trajtohen 438 pacientë me COVID-19.

“Klinika Infektive, 115 pacientë, Klinika Infektive II ( Mjekësi Sportive) 107 pacientë, Klinika Infektive III ( Interno) 87 pacientë, Klinika e Pulmologjisë 88 pacientë, Mjekimi Intensiv COVID-19, 19 pacientë, Klinika e Gjinekologjisë 17 pacientë, Klinika e Pediatrisë 5 pacientë”, njoftoi sot Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi nga oborri i QKUK-së se pacientët që po trajtohen me COVID-19 po detyrohen të blejnë barna ndërsa edhe disa prej analizave detyrohen t’i kryejnë në klinika private.

 

KALLXO.com raportoi sot se Qeveria e Kosovës nuk e ka shpenzuar asnjë cent nga fondi i grumbulluar nga Diaspora, fond ky që ishte krijuar në kohën e ‘Qeverisë – Kurti 1’

Rreth 5 javë pasi që u shfaqë rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, kryeministri Albin Kurti u ishte drejtuar me një kërkesë diasporës së Kosovës.

Kërkesa e kryeministrit në atë kohë ishte që të diaspora të ndihmoj Kosovën meqë po përballej me nj krizë shëndetësore e ekonomike.

“Në buxhetin e Kosovës ka rënie të të hyrave dhe në anën tjetër gjithashtu ka shpenzime të paparashikuara. Bashkatdhetarët tanë i ftojmë që ta ndihmojnë vendlindjen e tyre në këtë krizë shëndetësore”, ishte shprehur Kurti në atë kohë.

Kësaj kërkese të Kurtit iu bashkëngjit edhe fondi, i cili sot numëron rreth 720 mijë euro.

“Në llogarinë e dedikuar të hapur për fondet për menaxhimin e pandemisë, janë pranuar 717,955.93 Euro, prej te cilave nga jashtë vendit janë pranuar 667,297.70 Euro dhe brenda vendit 50,658.23 Euro”, thuhet në përgigjen e Zyrës së Kryeministrit për KALLXO.com

Mirëpo ndonëse kanë kaluar më shume se 16 muaj prej kur është hapur ky fond, ende as edhe një cent nuk është shfrytëzuar nga Qeveria e Kosovës.

Nga qeveria e Kosovës kanë treguar se disa prej mjeteve të mbledhura janë alokuar, por ende asnjë nuk është shpenzuar.

“Nga këto, shuma prej 511,681.50 Euro është alokuar te Ministria e Shëndetësisë e cila është në proces të furnizimit me pajisje mjekësore për nevoja laboratorike për menaxhimin e pandemisë. Ndërsa, shuma prej 206,274.43 Euro ende nuk është alokuar te ndonjë organizatë buxhetore. Jemi duke i shqyrtuar mundësitë dhe format se si dhe ku më së miri mund të përdoren këto mjete, në kuadër të përballjes dhe menaxhimit të pandemisë”, thuhet tutje në përgjigjen e ZKM-së.
Po ashtu KALLXO.com para pak ditësh raportoi për kushtet e rënda në të cilat po trajtohen pacientet e prekur me COVID-19 në Klinikën Infektive.

Pamje të tmerrshme kishiin arritur në adresë të KALLXO.com nga Klinika Infektive brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Parregullsi e papastërti e tollovi e madhe shihet në pamjet që i ka siguruar KALLXO.com

Një ulëse e gjelbër e disa batanije janë vendosur në qosh të një ballkoni në klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa një shtrat është improvizuar nga familjarët të cilët qëndrojnë për tu kujdesur për familjarët e tyre.

LINK