Osmani për Blair: Hero i paqes, bashkë me NATO-n na ka shpëtuar nga shfarosja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ish-kryeministrin e Mbretësisë së Bashkuar, Tony Blair, deklaroi se që 25 vjet, çdo ditë kosovarët janë falënderues ndaj tij.

“25 vite më pas dhe çdo ditë nga ajo, ne ju themi faleminderit që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që përcaktuan kapitujt më të lavdishëm të historisë. Më lejoni të ju falënderoj përzemërsisht që jeni me ne në 25 vjetorin e çlirimit, në mënyrë që ta shihni edhe ju mirënjohejn e qytetarëve që kanë për ju”, deklaroi Osmani.

E para e shtetit e quajti Blair-in “Hero të paqes”, teksa shtoi se roli i tij si kryeministër britanik ishte vendimtar.

“Në prill të vitit 1999 e keni konsideruar intervenimin në Kosovë si kauzë e drejtë, dhe e tillë ishte. Ashtu siç u dëshmua atëherë e siç dëshmohet edhe sot sepse në pyetje ishte ekzistenca e një populli. Me forcat aleate të NATO-s na shpëtuat nga shfarosja që synohej nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit”, deklaroi tutje Osmani.

Presidentja e Kosovës deklaroi se Kosova sot është një nga trashëgimitë më të suksesshme të ish kryeministrit britanez.

Tutje ajo shtoi se nevoja për të fituar paqen dhe demokracinë që ishte asokohe në Kosovë, sot është në Ukrainë.

Ish-kryeministrit britanez, sipas saj, pas herës së tretë që po qëndron në Kosovë që nga pas lufta, e ka mundësinë të shoh hapat që ka bërë Kosova drejt një shoqërie të lirë, demokratike e të qëndrueshme.

“Shumë fëmijë të Kosovës e mbajnë emrin tuaj, emrin Toni Blair, kjo është dëshmi e angazhimit tuaj”, deklaroi Osmani.

“Trashëgimia juaj në Kosovë është e shpresës, lirisë dhe e partneritetit të qëndrueshëm”, shtoi presidentja kosovare.

Presidentja Vjosa Osmani tha se populli kosovar vlerëson dhe respekton Blair, por edhe do e mbaj në zemër përherë për kontributin për lirinë.

Tony Blair është pritur në takim nga Presidentja Osmani me fillim nga ora 09.00 më 10.06.2024.

Blair pritet të takohet edhe me Kryeministrin Albin Kurti dhe Kryeparlamentarin Glauk Konjufca.