Avokati i Popullit

Avokati i Popullit publikon opinion lidhur me procesin e shpronësimit në Leposaviq dhe Zubin Potok

Avokati i Popullit ka publikuar një opinion në lidhje me procesin e shpronësimit të disa tokave në dy komunat veriore të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Avokati i Popullit ka thënë se ky opinion ka ardhur si rezultat i ankesave të banorëve të komunave të Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të cilët janë ankuar për mënyrën se si është zhvilluar ky proces i shpronësimit.

“Avokati i Popullit duke pasur parasysh faktin se për këtë çështje është iniciuar procedurë gjyqësore, nuk është lëshuar në vlerësim meritor, por i paraqet vetëm pikëpamjet e tij në vështrim të mbrojtjes së të drejtës së pronës, si e drejtë e njeriut e garantuar me Kushtetutën e Republikën e Kosovës” – është thënë në këtë opinion.

Tutje është shtuar se Avokati i Popullit ka vërejtur se vendimet e nxjerra para dhe gjatë procesit të shpronësimit nuk e kanë pasur qartësinë e duhur sa i përket qëllimit legjitim për të cilin është bërë shpronësimi dhe kjo sipas këtij institucioni, ka bërë që mos të përmbushet në mënyrë të plotë kushti ligjor për bërjen të ditur të qëllimit të ligjshëm publik.

“Avokati i Popullit ka vënë në dukje obligimin pozitiv të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve në drejtim të qartësimit të qëllimit legjitim dhe interesit publik, në mënyrë që ndërhyrja në pronat e pronarëve, për qëllimet e shpronësimit të jenë të qarta, të dukshme dhe të lejueshme” – ka theksuar Avokati i Popullit.

Po ashtu në opinion është thënë se përveç argumentit të theksuar më sipër, Avokati i Popullit ka vërejtur se Qeveria dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë zhvilluar veprimet e tjera procedurale lidhur me çështjen e shpronësimit në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok, duke nxjerrë vendime për shpalljen e atyre zonave me interes të veçantë, miratimin e vendimeve të tjera përcjellëse, mbajtjen e dëgjimeve publike dhe nxjerrjen e vendimit preliminar dhe përfundimtar, veprime këto të bazuara në Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme.

Opinionin e plotë të Avokatit të Popullit për këtë çështje mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Më 31.05.2024, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim, siç e ka quajtur, përfundimtar për shpronësim të disa pronave në komunën e Leposaviqit dhe atë të Zubin Potokut.

Vendimi është marrë në mbledhjen e mbajtur në formë elektronike me 30.05.2024, ndërsa shpronësimi i pronave, sipas Qeverisë, bëhet për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik”.

Sipas njoftimit, vendimi është marrë në pajtim me aktgjykimet e plotfuqishme të gjykatave në Kosovë.