Fluturimet nga Kosova në tri destinacione të Zvicrës, ministri Aliu: Do të ketë çmime më të lira

Kosova gjatë dy jave të ardhshme pritet të fillojë për herë të parë fluturime në tri destinacione në Zvicër.

Kështu ka njoftuar Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Lajm shumë i mirë për bashkatdhetarët e qytetarët tanë, hapja e fluturimeve të reja nga Prishtina” – tha Aliu.

Tutje ai shtoi se tri destinacionet e reja do të jenë nga 24.06.2024 Prishtinë – Zurich, Prishtinë – Basel dhe anasjelltas, ndërsa nga 03.07.2024 Prishtinë – Gjenevë dhe anasjelltas.

“Për herë të parë do të fillojë realizimi i fluturimeve në mes të Kosovës dhe Zvicrës me kriteret dhe kushtet e vëna nga shteti në interes të publikut dhe qytetarëve të të dyja vendeve, duke ofruar kështu orar të rregullt të fluturimeve e në veçanti çmime më të lira e më të volitshne” – shtoi ministri.

Sipas të parit të MMPHI-së Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka pranuar ankesa dhe kërkesa nga publiku që të gjendet një zgjidhje në lidhje me problemin e çmimit të lartë të biletave dhe përmirësimin e shërbimeve ajrore nga Kosova në Europë dhe vendet tjera ku është diaspora, veçanërisht për në Zvicër si destinacioni me frekuencën më të lartë të fluturimeve.

“Kosova tashmë ka realizuar zgjerimin e rrjetit të rrugëve ajrore ndërkombëtare me fluturime shtesë nga Kosova për në Zvicër përmes një operatorit ajror të BE-së, i emëruar për shërbime të transportit ajror sipas kritereve dhe kushteve në interes të publikut dhe qytetarëve të të dyja vendeve” – theksoi Aliu.

I njëjti shtoi se ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën, për diasporën në Zvicër, për qytetarët e Zvicrës dhe të Kosovës, sepse sipas ministrit janë krijuar mundësi më të mëdha të udhëtimit dhe me bileta më të lira në mes të dyja shteteve, rrjedhimisht duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi për qytetarët e Kosovës dhe diasporën.

Më 14.06.2024 Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) kishte bërë të ditur se ka përzgjedhur kompaninë ajrore të Bashkimit Europian “GP Aviation” për të mundësuar fluturime shtesë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

AAC kishte thënë se procesi i përzgjedhjes së operatorit ajror të emëruar është zhvilluar në mënyrë transparente përmes publikimit të shprehjes së interesit me kritere specifike për ofrimin e shërbimeve ajrore për publikun në përputhje me marrëveshjen bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Helvetike.

Fluturime shtesë Kosovë-Zvicër, Autoriteti i Aviacionit Civil zgjeron rrjetin me kompaninë ‘GP Aviation’