Takimi Mirosllav Lajçak - Besnik Bislimi - 18.06.2024 - Foto: ZKM

Qeveria deklarohet pas takimit të Bislimit me Lajçakun

Qeveria e Kosovës është deklaruar përmes një komunikate për media pas takimit të zëvendëskryeministrit dhe kryenegociatorit, Bisnik Bislimi me emisarin special të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.

Kjo komunikatë tregon elemente të ngjajshme me atë që tha Lajçaku pas takimit, se palët kanë folur për rrugën drejt zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

Pas takimit, para mediave foli vetëm Lajçak, ndërsa Bislimi nuk doli fare para tyre.

Bislimi ka ritheksuar se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog dhe e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve e njohje reciproke.

“Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet palë konstruktive në dialog, e përkushtuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe njohjen reciproke” – thuhet në njoftim.

Ai ka nënvizuar edhe rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët.

Kryenegociatori gjithashtu ka përmendur se Serbia në vahdimësi ka shkeluur shumicën e neneve të marrëveshjes, vecanërisht nenin e katërt, ku ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare edhe përmes letrës së ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, në të cilën ajo ka konfirmuar se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes.

Gjatë deklarimit për media pas takimit, Lajçak tha se arsyeja e vizitës së tij në Kosovë është rifokusimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ai foli edhe për raportin e kryediplomatit të Bashkimit Europian, Josep Borrell lidhur me masat e vendosura ndaj Kosoës, i cili vlerëson nëse duhet hequr këto masa apo jo.

Lajçak tha se e di se çfarë thuhet në raport, por nuk duhet të tregojë meqenëse raporti do të diskutohet nga shtetet anëtare të BE-së nesër, më 19.06.2024.

Qëndrimin e tij për këtë çështje, ai tha se e ka treguar qysh në shtator, kur ka thënë se masat duhen hequr si shenjë solidariteti pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2023.

Mirëpo, ai tha se kjo nuk është në dorë të tij dhe se qëndrimin e tij e ka përsëritur disa herë të shtetet anëtare.

Raporti i Borrellit lidhur me masat ndaj Kosovës është dorëzuar sot të vendet anëtare të BE-së.

Këto masa janë vendosur që një vit për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.

Atëbotë, BE-ja pati thënë se Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim të situatës.