ARKIV - Nenad Rikallo

Apeli e liroi nga akuza ish-ministrin Nenad Rikallo, detaje nga vendimi

“…Gjendja e fakteve na jep një pasqyrë se nuk janë provuar faktet e rëndësishme se të akuzuarit me veprimet e tyre inkriminuese kishin qëllimet e cituara më sipër [përfitimi i paligjshëm i kompanive përfituese] , që karakterizojnë dhe janë të domosdoshme të ekzistojnë për veprën penale që është objekt i akuzës dhe i aktgjykimit”.

Kështu përshkruhet ndër të tjerash, në vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin ka liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare ish-ministrin e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo dhe ish-sekretarin e pëgjithshëm në këtë ministri, Kapllan Halimi.

Nenad Rikallo ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh, kurse Halimi ishte dënuar po ashtu me burgim prej 2 vitesh e 6 muaj, për një projekt të kësaj ministrie.

Përveç dënimit me burgim, të njëjtëve u ishte shqiptuar edhe dënim plotësues -ai i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike, të dy në periudhë kohore prej 3 vitesh, vendim i nxjerrë nga shkalla e parë më 01.06.2023.

Ata akuzoheshin se i kishin shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

Aktakuza thoshte se Rikallo, në cilësinë e ministrit kishte tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”,  pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, e kishte vendosur për kriteret, kishte përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, e që sipas prokurorisë ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë me të cilin ishin dënuar të akuzuarit, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Speciale duke kërkuar që të akuzuarëve të dënuar t’iu shqiptohet një dënim më i lartë ose çështjen ta kthente në rigjykim.

Në anën tjetër, avokatët e Rikallos dhe Halimit, Miodrag Brkljac dhe Artan Qerkini kanë ushtruar po ashtu ankesë duke kërkuar që klientët e tyre të lirohen ose çështja të kthehej në rigjykim.

Vlerësimi i Gjykatës së Apelit

Gjykata e Apelit në vendimin e saj, pas seancës së mbajtur më 25.04.2024 ka vendosur t’i japë të drejtë avokatëve mbrojtës.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë ka zbatuar ligji penal që nuk ka mundur të zbatohet si dhe janë shkelur dispozitat e procedurës penale, pasi sipas Apelit nuk është dhënë arsyetimi lidhur me faktet dhe rrethanat vendimtare.

Tutje Apeli ka theksuar se gjykata duhet të paraqesë në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte dhe për cilat arsye i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara, se mbi bazën e cilave fakteve konkrete vërtetohet se veprimet e të akuzuarit ishin të motivuara për t’i sjellë përfitim personave të tretë – në këtë rast kompanive përfituese.

Kolegji i gjyqtarëve, në venim ka theksuar se nuk mjafton vetëm lidhja objektive mes hartimit të programit të veçantë të bujqësisë dhe përfitimi i kompanive, por duhet të ekzistojë edhe lidhshmëria subjektive – çka nënkupton se është dashur të vërtetohet se veprimet ishin ndërmarrë për të krijuar përfitime të paligjshme.

Në vendimin e saj, Apeli ka vlerësuar se një çështje tejet thelbësore që është dashur të provohet dhe vërtetohet është “qëllimi kriminal”.

Gjykata e Apelit ka ardhur në përfundim se nuk ekziston ndonjë dëshmi apo provë konkrete që dëshmon se të akuzuarit kishin vepruar me synimin për t’iu siguruar përfitime të kundërligjshme kompanive përfituese.

Ky qëllim, sipas Apelit, mbetet i padëshmuar, i supozuar dhe i paargumentuar.

Në vendim thuhet se “për më tepër, nuk është vërtetuar ekzistimi i ndonjë raporti i të akuzuarëve me kompanitë përfituese, nga i cili më pastaj do mund eventualisht të rrjedhë deduksioni se mbi bazën e këtyre relacioneve të akuzuarit kanë vepruar me këtë qëllim”.

Gjetjet e shkallës së parë, shkalla e dytë i ka konsideruar si të pambështetura në prova dhe faktet e konstatuara janë hipotetike.

Tutje, në vendimin e saj Apeli ka theksuar se është “detyrë e një gjykatë penale të shqyrtojë nëse veprimet e të akuzuarëve manifestojnë veprime të natyrës kriminale, që bartin përgjegjësi penale dhe jo të shqyrtohet, sipas kësaj gjykatë, ligjshmëria administrative e akteve…”.

Gjykata ka ardhur në përfundim se nuk është provuar se të akuzuarit kishin bërë tejkalim të autorizimeve ligjore,  apo se kishin pasur qëllim që kompanive përfituese t’u sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, andaj sipas kësaj gjykate nuk është provuar përgjegjësia penale për keqpërdorim të detyrës- për të cilën janë akuzuar.

Kolegji i gjyqtarëve të Apelit të cilët kanë marrë këtë aktgjykim përbëhet nga Afërdita Bytyçi-kryetare, dhe anëtarët Bashkim Hyseni dhe Vaton Durguti, kurse aktgjykimi dënues në shkallës të parë ishte marrë nga kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune, sipas prokurorisë ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhej se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike.

Në thirrje thuhej se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Po ashtu, Rikallo më 26.03.2018 akuzohej që në mënyrë të kundërligjshme kishte lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

Rikallo dhe të akuzuarit tjerë, para gjykatës në seancën e datës 27.04.2021 nuk e kishin pranuar fajësinë lidhur me akuzat e Prokurorisë.

“Nuk e ndjej veten fajtor në asnjë pikë të aktakuzës”- kishte deklaruar shkurt ish-ministri Rikallo.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “kishte tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë”- thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Bashkë me të akuzuarit në fjalë, me ta ishin të përfshirë edhe gjashtë ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë; Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri -të akuzuar për korrupsion, të cilët ishin liruar nga shkalla e parë pasi që nuk ishin provuar se kishin kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.