Arsyeja e vizitës në Prishtinë, flet emisari i BE-së Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak tha se arsyeja e vizitës së tij në Kosovë është rifokusimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Arsyeja për këtë vizitë sot në Prishtinë dhe nesër në Beograd është për të diskutuar si të rifokusohemi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, çfarë hapa konkretë do të ndërmarrim” – tha Lajçak pas takimit që pati me kryenegociatorin, Besnik Bislimi, i cili nuk u deklarua për media.

Lajçak shtoi se duhet të përshpejtohen hapat për zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.

Cështja tjetër që është diskutuar mes dy palëve, siç tha ai ka qenë edhe Plani i Rritjes, përmes së cilit Bashkimi Europian ofron mbi 6 mlionë euro për shtetet e Ballkanit Perëndimor, por që për Kosovën e Serbinë ka një parakusht.

“Çështja e dytë lidhet me Planin e Rritjes siç e dini, ky është një instrument i ri financiar që BE është duke ofruar 6 miliardë euro për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Por për Kosovën dhe Serbinë ndarja e parave është po ashtu e parakushtëzuar nga angazhimi konstruktiv në dialog. Dhe këtu, unë jam ai që duhet të bëjë vlerësimin për konstruktivitetin. Ne gjithashtu kemi diskutuar se si të mbërrijmë te vlerësimet pozitive” – tha ai.

Zyrtari i BE-së tha se kjo nuk do të jetë vizita e tij e fundit në Kosovë, pasi që atij i është kërkuar nga Kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell që të rrijë në pozitën e tij deri në fund të janarit 2025 , derisa të ndryshohen institucionet e BE-së, marrë parasysh zgjedhjet e reja që po ndodhin atje.

“Nuk mendoj se kjo është vizita ime e fundit në Kosovë sepse siç thashë më është kërkuar që të rri deri në fund të janarit, pra ka ende shumë kohë dhe shumë punë që duhet të bëjmë” – deklaroi Lajçak.

I pyetur pse nuk është takuar me kryeministrin Albin Kurti, Lajçak tha se e di që Kurti nuk ndodhet në Kosovë dhe se prandaj nuk janë takuar.

KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Kryeministrit, duke e pyetur për vendodhjen e kryeministrit Kurti dhe është në pritje të përgjigjes.