Emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak në Prishtinë - 18.06.2024 Foto: Vlera Shabani/ KALLXO.com
Lajçak mbërrin në Qeveri për t’u takuar me Bislimin - FOTO
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka mbërritur në objektin e Qeverisë së Kosovës për t’u takuar me zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociatorin, Besnik Bislimi.
Ekipi i KALLXO.com po qëndron tek objekti i Qeverisë së Kosovës.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës e cila njoftoi për këtë takim nuk tregoi për temat që do të diskutohen mes tyre.
Gjatë ditës, Lajçak ka bërë publik një takim në Athinë me kryeministrin e ri serb, Millosh Vuçeviq, me të cilin ka thënë se ka biseduar për çështjen e dialogut në Bruksel.
“E kam përditësuar për gjendjen në dialog dhe kemi folur për marrëdhëniet BE-Serbi”- ka shkruar Lajçaku në platformën X.
Takimi po ndodh në kohën kur autoritetet në Prishtinë janë në pritje të raportit te Josep Borrell-it, i cili është dorëzuar te vendet e BE-së.
Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna që një vit për shkak të tensionimit të situatës në veri të vendit në maj dhe qershor të vitit 2023.
Lidhur me këtë çështje është pyetur sot edhe kryeministri Albin Kurti, por ai nuk ka dashur të flasë.
“Nuk mendoj se duhet të spekuloj për spekulimet”- është shprehur Kurti.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka paralajmëruar se raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.
Ai i ka bërë këto deklarata pasi është pyetur për të komentuar një qëndrim të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, i cili ditë më parë ka thënë se ka “informata se Borrell ka përgatitur raportin e tij dhe se ai ka propozuar heqjen e masave ndaj Kosovës”.
“Vendet anëtare do të jenë të parat që do ta dinë përmbajtjen, do të diskutohet, dhe më pas të merren vendimet e nevojshme” – ka thënë Stano.
Diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Megjithatë, në atë takim nuk pritet të merret një vendim se si të veprohet për masat.
Dorëzimi i këtij raporti, qoftë edhe me rekomandim të qartë, nuk do të thotë se masat hiqen menjëherë.
Ky raport vetëm do t’iu shërbejë vendeve anëtare për ta rikthyer këtë çështje në agjendë dhe për të filluar shqyrtimin e mundësisë së heqjes së masave në të ardhmen.