ORCA e tronditur nga dëshmitë e studenteve të Mjekësisë për ngacmim seksual nga profesori i UP-së

Pas rrëfimeve ekskluzive të studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në emisionin “Kallxo Përnime”, më 07.04.2024, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë ish-profesori i Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, Xhevat Krasniqi, ka reaguar Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Studentet në kushte anonimiteti kanë treguar se nga tetori i vitit 2022, profesori Krasniqi ka filluar t’u japë vajzave “komente seksuale” gjatë ligjëratave dhe ushtrimeve, duke ua komentuar atyre pamjen fizike.

Këto rrëfime të studenteve në Kallxo Përnime” janë mbështetur edhe nga studentët të cilët konfirmojnë se janë dëshmitarë të sjelljeve të profesorit, ashtu siç i kanë përshkruar edhe shumica e kolegeve të tyre.

“Profesori në fjalë ka fillu duke dhënë komente seksuale gjatë orëve të ligjëratave edhe ushtrimeve. Edhe duke marrë si shembull gjithmonë femrën, na është drejtu të gjitha kolegeve që jemi kanë aty se ‘Femrën kur e mbulon me jorgan i humb bukuria’, ‘Dallimi mes femrës dhe perdes’. Mandej ka pas raste ku ka thënë ‘Femrat e Istogut janë më të bukurat’, ku edhe i ka shiku koleget e mia që kanë qenë nga Istogu”- ka deklaruar studentja, e cila zgjodhi të flasë në kushte anonimitetit nën frikën se nëse e shpërfaqë identitetin e saj, do të përballet me më shumë ngacmime.

Mbështetur në dekratat e tilla, ORCA përmes komunikatës për shtyp është shprehur e tronditur nga këto dëshmi.

Kjo organizatë konsideron se heshtja e Universitetit dhe mosdistancimi nga shkeljet e pretenduara si hap i parë, është e frikshme dhe krijon rrethana të favorshme për mosndëshkim të kryesit të shkeljeve.

“Dëshmitë tronditëse të studenteve dhe studentëve lidhur me trajtimin jonjerëzor të tyre në përditshmërinë e tyre, tregojnë për një ambient të prapambetur akademik. Maltretimi i studentëve dhe sjellja e keqe ndaj tyre po bën që dita ditës Universiteti i Prishtinës, ndonëse më i miri në vend, të ketë më pak studentë, ndërkohë ata po ua mësyjnë kolegjeve private ku trajtimi si klient blerës është pakrahasimisht më i mirë se cilido trajtim në Universitetin e Prishtinës” – ka thënë ORCA.

Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit Krasniqi për ngacmim seksual, më 04.04.2024 është mblesh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës, ku u paraqit edhe vet Krasniqi që të deklarohej.

Me gjithë insistimin e Jeta Xharrës, ai refuzoi të përgjigjet lidhur me pretendimet ndaj tij.

Teksa e ka vlerësuar si “inkompetencë”, ORCA ka thënë se KE po e rrezikon reputacionin e UP-së.

“(Këshilli i Etikës) Në njërën anë fsheh dhe justifikon ngacmimet seksuale, në anën tjetër merr vendime absurde në mbrojtje të plagjiatorëve dhe kështu ka krijuar një imazh ku UP-ja duket si strehë e sigurtë e plagjiatorëve, ngacmuesve dhe shkelësve të tjerë” – kanë theksuar nga ORCA.

Lidhur me pretendimet e studentëve të Mjekësisë, për sjelljet e Krasniqit ndaj tyre kur i ka mbajtur konsultimet dhe ushtrimet pas provimeve në lëndën e matematikës, duke i futur në zyrën e tij një nga një, ORCA vlerëson se praktikat e maltretimit të studentëve përmes mënyrave primitive të notimit duke i detyruar të presin me orë të tëra në koridore për t’u mbyllur pastaj në zyra ku ndaj tyre përdoret gjuhë ofenduese, duhet të marrin fund. 

Ata kanë kritikuar edhe monitorimin e procesit të vlerësimit të studenteve nga UP-ja.

“Kalueshmëria e studentëve në provime duhet të jetë matës i performancës së profesorëve po ashtu. Koordinatorët e cilësisë duhet ta monitorojnë kalueshmërinë e studentëve dhe ta vërejnë kur paraqiten anomali të moskalimit në provime të studenteve femra për disa herë, çka është metodë e vjetër e kushtëzimit seksual e raportuar për vite me radhë në UP” – kanë shtuar nga ORCA.

Njëra nga studentet, ‘Teuta’ që ka rrëfyer raste në të cilat pretendon se është ballafaquar me fjalë ngacmuese nga Krasniqi, datën 14.02.2023 ka thënë se nuk e harron kurrë sepse sipas saj, ka qenë dita kur asnjëherë nuk është ndier më keq. Pikënisja e kësaj ditë kishin qenë rezultatet e provimit kur profesori Krasniqi e kishte rrëzuar atë nga provimi për 0.05 pikë.

Në konsutime me gojë, siç ka thënë studentja, Krasniqi i kishte thënë se është “i drejtë në vlerësim” duke iu drejtuar edhe me fjalët se “kur të duash të bëjë masazhë”, fjalë të cilat i kishte pasuar edhe një demonstrim duke tentuar “të përqafojë studenten”.

Më tej, në reagimin e ORCA-së, thuhet se një numër i konsiderueshëm i profesorëve duhet t’i nënshtrohen vlerësimit psikiatrik për t’i vlerësuar aftësitë e tyre për ta kryer punën e profesorit në universitet.

Si rezultat i kësaj, ata kanë theksuar nevojën e vetingut akademik në universitet.

“ORCA përsëritë edhe një herë nevojën e vetingut akademik si mjet për pastrimin e tij nga ngacmuesit, plagjiatorët dhe shkelësit e tjerë të mundshëm” – kanë thënë nga ORCA.

Ndërsa, studentetet dhe studentët që kanë folur publikisht për këtë rast, ORCA i konsideron heronj të luftës për integritet akademik dhe i ka ftuar të gjithë kolegët dhe koleget e tyre të raportojnë për raste të ngjashme.

Në shkurt të vitit 2024, 27 studente dorëzuan ankesë për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi.

Lidhur me pretendimet e studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i UP-së, më 27.03.2024 Fakulteti i Mjekësisë ka thënë për KALLXO.com se fillimisht është informuar gojarisht. Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Ndonëse, Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, e njëjta nuk është konfirmuar se qëndron në Fakultetin e Mjekësisë.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekanë e prodekanë, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

“Në këtë takim Prof. Xhevat Krasniqi i është komunikuar me gojë denoncimi i studentëve të Farmacisë për të. Në këtë rast Prof. Xhevat i ka mohuar akuzat për ngacmim seksual. Në fund të takimit Menaxhmenti i FM-së e ka njoftuar Prof. Xhevat se për shkak të natyrës së denoncimit dhe për shkak se rasti duhet të përcillet në Këshillin e Etikës, atij i ndërpritet angazhimi i mëtutjeshëm në Fakultetin e Mjekësisë” – kanë thënë nga Fakulteti i Mjekësisë.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, denoncimin e studenteve e ka përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

Në vend të profesorit Krasniqi, në FM është angazhuar një profesor tjetër i matematikës nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.