Fakulteti i Mjekësisë UP, Foto: Fakulteti i Mjekësisë/Facebook

Dyshimet për ngacmim seksual në UP, Fakulteti i Mjekësisë: Xhevat Krasniqi nuk është më pjesë e stafit

Lidhur me pretendimet e disa studenteve se janë ngacmuar seksualisht nga profesori i rregullt i UP-së, Xhevat Krasniqi, Fakulteti i Mjekësisë thotë se fillimisht është informuar gojarisht.

Kurse, denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.

Kështu është përgjigjur Fakulteti i Mjekësisë në pyetjet e KALLXO.com më 27.03.2024.

Xhevat Krasniqi është profesor i rregullt i matematikës në Fakultetin e Edukimit dhe së fundmi është raportuar se 27 studente të Mjekësisë e kanë denoncuar për ngacmim seksual në Këshillin e Etikës të UP.

Ndonëse, Krasniqi ende figuron si profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit, e njëjta nuk është konfirmuar se qëndron në Fakultetin e Mjekësisë.

Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, janë mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast kanë ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.

Fakulteti i Mjekësisë e ka konfirmuar se profesori Krasniqi ka qenë i angazhuar në këtë Fakultet përafërsisht nga viti akademik 2016/2017, ku ka ligjëruar lëndën e matematikës në programin e Farmacisë.

Sipas Fakultetit të Mjekësisë, Krasniqi nuk e ka pranuar se i ka ngacmuar seksualisht studentet.

“Në këtë takim Prof. Xhevat Krasniqi i është komunikuar me gojë denoncimi i studentëve të Farmacisë për të. Në këtë rast Prof. Xhevat i ka mohuar akuzat për ngacmim seksual. Në fund të takimit Menaxhmenti i FM-së e ka njoftuar Prof. Xhevat se për shkak të natyrës së denoncimit dhe për shkak se rasti duhet të përcillet në Këshillin e Etikës, atij i ndërpritet angazhimi i mëtutjeshëm në Fakultetin e Mjekësisë” – kanë thënë nga Fakulteti i Mjekësisë.

Pas këtij takimi, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, denoncimin e studenteve e ka përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.

KALLXO.com ka tentuar ta kontaktojë nga data 26.03.2024 profesorin Krasniqi në lidhje me këtë rast, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Po ashtu, KALLXO.com e ka pyetur Rektoratin dhe Fakultetin e Edukimit për këtë denoncim të studenteve ndaj profesorit Krasniqi, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Në vend të profesorit Krasniqi, në FM është angazhuar një profesor tjetër i matematikës nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore.

Në anën tjetër, për Krasniqin, Fakulteti i Mjekësisë tha se më parë kanë pranuar ankesa me gojë lidhur me mënyrën e vlerësimit nga ana e tij.

“Më herët kemi pranuar ankesa me gojë lidhur me mosvendosjen me kohë të notave në SEMS (Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Studentëve) dhe para denoncimit të fundit kemi pasur edhe një ankesë lidhur me mënyrën e vlerësimit” – kanë njoftuar nga FM.

Më 26.03.2024, studentë e studente kërkuan përjashtimin e profesorit Krasniqit nga UP dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Etikës përmes protestës së mbajtur para Fakultetit të Edukimit dhe Rektoratit.

Protestuesit kërkuan edhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Etikës, pasi pretendohet se KE nuk i ka ftuar palët për intervistim edhe pas tri javësh kur ka pranuar denoncimin.

Sipas Rregullores për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në Universitetin e Prishtinës, KE duhet ta kontaktojë të dyshuarin menjëherë pas pranimit të denoncimit, jo më vonë se pesë ditë kalendarike pas pranimit të denoncimit formal.

“Këshilli i Etikës e kontakton subjektin e dyshuar menjëherë pas pranimit të denoncimit dhe e fton në intervistim, jo më vonë se pesë ditë kalendarike pas pranimit të denoncimit formal për ngacmim ose ngacmim seksual, duke u siguruar që subjekti i dyshuar është njoftuar dy ditë më herët” – thuhet në nenin 11, paragrafi 3, të rregullores së UP-së.

Gjatë protestës, përpara dy objekteve të UP-së u lexuan disa deklarata të cilat pretendohet se janë të 27 studenteve, të cilat i kanë dorëzuar në KE.

“E këtu po i citoj fjalët e tij: Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh – i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar” – u lexua gjatë protestës një deklaratë që pretendohet se është e njërës nga 27 studentet.

“A i keni ly buzët njëjtë a? Lyeji ti sa të duash buzët se si të kësaj nuk mundesh m’i pasë”.

Profesori ka pasur edhe shprehje të tjera si “femrën kur e mbulon me jorgan, i humb bukuria” – një tjetër deklaratë e studenteve.