Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Nuk kalon rezoluta për ngritjen e koeficientit të pagave në 129 euro

Rezoluta për ngritjen e koeficientit të pagave nga 110 sa pritet të jetë vitin e ardhshëm në 129 euro, nuk ka kaluar sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë rezolutë kanë votuar 29 deputetë, 52 votuan kundër, ndërsa dy abstenuan.

Kjo rezolutë është propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka prezantuar rezolutën në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro.

Ai ka thënë se debati parlamentar bazohet në gjendjen e përgjithshme sociale në vend e cila sipas tij është duke u përkeqësuar.

“Qeveria nuk ka arritur që as përmes politika sociale, as financiare ta adresoj rritjen e inflacionit. Duke ditur që jemi në një situatë ekonomike në vend, duke vlerësuar edhe raportet e fundit të Bankës Botërore që të shmangët një kolaps ekonomik, është tepër me rëndësi që ky kuvend të votoj rezolutë, të ngrit koeficientin. Grupi ynë parlamentar ka bërë vlerësim dhe ka kërkuar të rritet koeficienti nga 105 ne 129”- ka thënë ai.

Tahiri i AAK-së prezanton rezolutën për ngritjen e koeficientit të pagave në 129 euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar ku është shqyrtuar projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024, ka thënë se koeficienti i pagave do të jetë 110 euro.

Qeveria miraton buxhetin, rritet vlera e koeficientit të pagave