Qeveria miraton buxhetin, rritet vlera e koeficientit të pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar ku është shqyrtuar projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024, ka thënë se koeficienti i pagave do të jetë 110 euro.

Sipas Kurtit, buxheti për vitin 2024 do të jetë 3.3 miliardë euro.

“Për vitin 2024 buxheti i Republikës së Kosovës do të jetë 3 miliardë e 314 euro. Për sektorin publik, kemi thënë qysh në fillim të këtij viti se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë, pra po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë. Të gjitha përllogaritjet e buxhetit tek kategoria e pagave janë duke marrë përbazë edhe rritjen e koeficientit dhe gjithsej buxheti për paga parashihet të jetë 805 milionë euro apo rreth 30% më lartë se buxheti para pesë viteve”- ka deklaruar Kurti.

Buxheti i Kosovës ka qenë 3 miliardë e 212 milionë euro në 2023, përderisa koeficienti i pagave në shkurt ishte vendosur nga Qeveria të jetë 105 euro.