Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasje në tentativë

Gjykata e Prizrenit, të pandehurit me iniciale P.M., ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji. Sipas njoftimit të gjykatës, me 7 gusht 2021, në Suharekë, i dyshuari P.M., pas disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që i  kishte pasur me të dëmtuarin, tenton ta privojë nga jeta.

Sipas prokurorisë, i dyshuari fillimisht ia dëmton me gur xhamin e automjeti të të dëmtuarit, meqenëse i dëmtuari nuk ndalet, i pandehuri P.M., vrapon pas tij, e më pas i del prapa dhe me armën automatike në vend publik, në rrugët kryesore të Suharekës, gjuan disa herë në drejtim të dëmtuarit, me ç’rast ka  rrezikuar edhe jetën e pjesëmarrësve tjerë të pranishëm.

Me këto veprime i pandehuri P.M., dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprave panele të cilat i vihen në ngarkim të pandehurit dhe pasojat e shkaktuara.

“Duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartcekura, duke marrë parasysh edhe rrezikun e ikjes, peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, raportet e acaruar në mes të palëve, pasojat jashtëzakonisht të rrezikshme, caktimi i paraburgimit, në rastin konkret për të pandehurin tani për tani është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet më tej në njoftim.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.