Seanca për caktimin e masës së sigurisë - Foto: KALLXO.com

Një muaj paraburgim të dyshuarit për rastin e shpërthimit në tregun e kafshëve në Prizren

Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Remzi Murtezin, njëri nga të dyshuarit në lidhje me shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren, ku mbetën të lënduar 10 persona.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjykatësi Gani Kastrati.

Paraburgimi u kërkua të enjten nga prokurori Labinot Jetishi ndërkaq kjo masë u aprovua nga gjykatësi i procedurës paraprake, Gani Kastrati.

Gjatë seancës për vendosjen e masës së sigurisë, prokurori Labinot Jetishi ka deklaruar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e kësaj mase pasi ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

“Hetimi në këtë çështje është në fazën fillestare, nuk janë dëgjuar të dyshuarit para prokurorit të shtetit, ndërsa i dyshuari tjetër Xh.S. është në arrati, për të njëjtin nga provat e bashkëngjitura rezulton se mund të jetë bashkëkryes tjetër eventual. Po ashtu, gjendja shëndetësore e të dëmtuarve është e rëndë, ku pesë prej të dyshuarve janë duke u trajtuar në QKUK në Prishtinë dhe gjendja e tyre është në rrezik për jetën”-tha prokurori Labinot Jetishi.

Paraburgimin e ka kundërshtuar Sylë Hoxha, mbrojtës i të pandehurit Remzi Murtezi.

Avokati Hoxha theksoi se i mbrojturi i tij nuk ka pasur mundësi as të veprojë dhe të ndërmarrë veprime të kundërligjshme.

Prandaj, avokati kërkoi nga Gjykata shqiptimin e ndonjë mase më të butë si arrest shtëpiak.

Ndërkaq, sipas versionit të të pandehurit Remzi Murtezi, ai ishte sulmuar nga disa persona dhe kishte marrë lëndime në ditën kritike.

“Kur ka fillu ngjarja unë kam qenë duke i zbritë demat në tokë dhe ia kam dhënë vëllait Xh. për me i lidhë demat në hekurat ku ka qenë vendi me i lidhë. Katër-pesë copa i kemi zbrazur nga kamioni, në atë moment kam dëgjuar një përleshje, një zënkë verbale dhe atëherë kam filluar të dal nga kamioni dhe aty më kanë pritë vëllezërit S., dhe menjëherë më kanë sulmuar duke më goditur me shufra dhe çka kanë pasur e në atë moment unë jam alivanos dhe kam ra në tokë” – deklaroi i dyshuari.

Nga një mjet shpërthyes (lloji i panjohur aktualisht) te tregu i kafshëve në Prizren, më 22 nëntor të këtij viti mbetën të lënduar 10 persona.

Sipas Prokurorisë, rreth orës 4:50, në Prizren, në lagjen “Arbana”, saktësisht në tregun e kafshëve, i cili gjendet në rrugën “Tranziti i vjetër”, të dyshuarit Remzi Murtezi dhe Xhevdet Selimi, me dashje dhe të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe për pasojën, në bashkpunim dhe koordinim të veprimeve mes vete, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit A.S., B.S., B.P., N.B., M.B., F.S., B.V., A.M., F.S. dhe B.S. pasi që fillimisht fjalosen, për një moment të dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin), i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, 10 persona pësojnë lëndime. Prej tyre M.B., F.S., B.V. dhe B.S. janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK -Prishtinë, ndërsa të dëmtuarit A.S., B.P., N.B., F.S., B.S., A.M., pas pranimit të ndihmës mjekësore janë liruar për në shtëpi.

Me këtë i pandehuri kishte për të kryer veprën penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.