Foto: REL

Një burrë me 21 vepra penale dënohet me 8 vjet burg për dhunim dhe ngacmim seksual

Një burrë me një dosje prej 21-veprave penale është dënuar me tetë vjet burgim unik e 500 euro gjobë, pasi që Gjykata e Prishtinës e gjeti fajtor se në dy raste të ndryshme, duke u shtirur si polic, ka dhunuar një vajzë dhe ka ngacmuar seksualisht një tjetër. Kështu, ai ka kryer tri vepra penale, dhunim, ngacmim seksual dhe prezantim i rremë si person zyrtar.

I njëjti ka qenë i dënuar edhe në vitin 2014 me një vit e gjysmë burgim për dhunim dhe 300 euro gjobë për veprën sulm seksual në vitin 2017. Ai ishte dënuar dhjetëra herë edhe për veprat mashtrim, lëndim i lehtë trupor, sulm e vjedhje.

Sipas aktgjykimit, përderisa e dëmtuara ka qenë duke kryer marrëdhënie seksuale me të dashurin e saj në parkingun e një supermarketi, i cili gjendet afër Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, siç thuhet në aktgjykim, i akuzuari, duke u prezantuar si polic, e ka detyruar të dëmtuarën që të dalë nga vetura, me pretekstin se duhet ta dërgojë në shtëpi pasi që po i duket e mitur, ndërsa të dashurit të saj i ka thënë se po e pret policia poshtë.

“I akuzuari kishte detyruar të dëmtuarën e lartcekur për ta përcjellë në shtëpinë e saj dhe i njëjti duke përcjellë e dërgon në një garazhë-bodrum të banesave në Lagjen “…” në Prishtinë, duke e shfrytëzuar situatën në të cilën ishte e dëmtuara e pambrojtur dhe kur siguria e saj ishte në rrezik pa dëshirën e saj, ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë” – përshkruhet më tutje në aktgjykim.

Ky rast ka ndodhur më 5 dhjetor 2018, rreth orës 19:30.

R.S. është gjetur fajtor edhe për veprën ngacmim seksual, të cilën, sipas Gjykatës e ka kryer një vit e gjysmë më vonë, në mënyrë të ngjashme.

Në parkingun e supermarketit të njëjtë, i akuzuari i është prezantuar si polic një çifti tjetër, i cili po qëndronte në makinë.

Ai e ka detyruar të dëmtuarën që të ndahej nga i dashuri i saj, kinse për ta dërguar në stacion policor, për arsye të pandemisë Covid-19.

“…Në vend te kësaj e ka dërguar në një vend të errët garazhe-bodrum te banesave në Lagjen “…” ne Prishtinë, duke e shfrytëzuar situatën në të cilën ishte e dëmtuara e ngacmon seksualisht duke e prekur në pjesët intime të trupit, e puthë dhe më pas e ka detyruar pa vullnetin e saj te zhvishet nën pretekstin se do t’i bëj një analizë për te vërtetuar virusin Covid-19 dhe të dërgohet në karantinë” – thuhet në aktgjykim.

Ky rast ka ndodhur më 11 maj 2020, rreth orës 15:30.

Gjykata gjen se të dyja rastet kanë ngjashmëri shumë të madhe në mes të tyre, pasi që veprimet e të akuzuarit pothuajse janë identike, gjë që përforcon bindjen e gjykatës se i akuzuari ka kryer këtë vepër me dashje direkte.

“Dhe i njëjti ka arritur që përmes prezantimit të rremë si zyrtarë policor të ushtrojë ndikimin e tij tek e dëmtuara për ta dërguar në vende të errëta, përkatësisht në njërën nga garazhat e lagjes …dhe t’i kënaqë epshet e tij seksuale duke kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj” – thuhet në vendimin e gjykatës

Mbrojtësi i të akuzuarit R.S, avokati Fitim Malokaj, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se nuk është provuar aktakuza e prokurorisë dhe gjykatës i ka propozuar të akuzuarin ta lirojë nga Aktakuza. Kurse, i akuzuari R.S, në fjalën përfundimtare deklaroi se e përkrahë fjalën përfundimtare të dhënë nga mbrojtësi i tij dhe nuk ka tjetër se çfarë të shtojë.

Derisa gjatë shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari R.S, kishte deklaruar se të dëmtuarën K.S e njeh prej vitit 2017 ose 2018, pasi që kanë pasur lidhje dashurie me të. Ndërsa në ditën kritike ka mohuar të ketë qenë tek parkingu i supermarketit.

Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej datës 05 qershor 2020 deri më 16 nëntor 2020, në atë mënyrë që një ditë e qëndrimit në paraburgim apo arrest shtëpiak barazohet me një ditë burgim.

Trupi gjykues ka qenë i përbërë nga gjyqtarja Alltën Murseli – kryetare dhe gjyqtarët Gazmend Bahtiri e Gëzim Ademi – anëtarë.

Ky trup gjykues nuk ka gjetur asnjë rrethanë lehtësuese, ndërsa si rrethana rënduese ka llogaritur faktin që i akuzuari është recidivist, shkallën e lartë të përgjegjësisë së tij pasi që “i njëjti me dashje ka shfrytëzuar situatën dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën pa marrë pëlqimin paraprak të saj, intensitetin e rrezikimit apo të dëmtimit të vlerës së mbrojtur, i njëjti i ka shkaktuar dëm fizik dhe psikologjik të dëmtuarës duke i shkaktuar edhe trauma psikologjike”.

Sipas evidencës penale i akuzuari figuron si person i dënuar në 21 raste, në komuna të ndryshme të Kosovës, për dhunim, sulm seksual, mashtrim, vjedhje, kanosje, sulm, lëndim i lehtë trupor dhe prezantim i rremë si person zyrtar.

Dosja e tij është si në vijim:

  1. Rasti P-…/2019 në Skenderaj, i plotfuqishëm më 13.09.2018, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me kusht 8 muaj në afat verifikimi prej 16 muaj;
  2. Rasti PM./2013 në Prishtinë, plotfuqishmëria më 24.03.2014, vepra: dhunim, dënimi: dënim me burgim 1 vit e 6 muaj;
  3. Rasti P-…/2017 në Ferizaj, plotfuqishmëria më 29.08.2018, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me burgim prej 3 muaj dhe gjobë 300 euro;
  4. Rasti P-…/2018 në Gjakovë, plotfuqishmëria më 08.05.2019, vepra: vjedhje, dënimi: dënim me gjobë 250 euro;
  5. Rasti P-…/2018 në Prizren, plotfuqishmëria më 03.01.2019, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me gjobë 400 euro dhe dënim me kusht 6 muaj në afat verifikimi prej 1 viti;
  6. Rasti P-…/2018 në Gllogoc plotfuqishmëria më 21.02.2019, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me burgim prej 6 muaj dhe dënim me gjobë 400 euro;
  7. Rasti P-…/2018 në Prizren plotfuqishmëria më 24.12.2018, vepra: lëndim i lehtë trupor, dënimi: dënim me kusht 3 muaj në afat verifikimi prej 1 viti;
  8. Rasti P…/2018 në Podujevë, plotfuqishmëria më 29.08.2018, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me kusht 3 muaj në afat verifikimi prej 1 viti dhe dënim me gjobë 120 euro;
  9. Rasti P-…/2011 në Gllogoc, plotfuqishmëria më 04.04.2014, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me gjobë 300 euro;
  10. Rasti P358/2016 në Prishtinë, plotfuqishmëria më 10.12.2019, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me burgim prej 5 muaj dhe dënim me gjobë 300 euro;
  11. Rasti P-…/2019 në Suharekë, plotfuqishmëria më 20.03.2020, vepra: vjedhje, dënimi: dënim me gjobë 1200 euro;
  12. Rasti P-…/2017 në Prishtinë, plotfuqishmëria më 10.02.2020, vepra: vjedhje, dënimi: dënim me kusht 6 muaj në afat verifikimi prej 1 viti dhe dënim me gjobë 200 euro;
  13. Rasti P-…/2010 në Prishtinë, plotfuqishmëria më 23.03.2011, vepra: kanosje, dënimi: dënim me gjobë 250 euro;
  14. Rasti P-…/2019 në Lipjan, plotfuqishmëria më 16.03.2020, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me kusht 3 muaj dhe 200 euro në afat verifikimi prej 1 viti;
  15. Rasti P-…/2019 në Prishtinë, plotfuqishmëria më 03.03.2021, vepra: sulm, dënimi: dënim me burgim prej 3 muaj;
  16. Rasti P-…/2018 në Prishitinë, plotfuqishmëria më 07.11.2019, vepra: prezentim i rremë si person zyrtar, dënimi: dënim me kusht 6 muaj në afat verifikimi prej 1 viti dhe dënim me gjobë 200 euro;
  17. Rasti P-…/2019 në Lipjan, plotfuqishmëria më 13.05.2021, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me kusht 5 muaj në afat verifikimi prej 1 viti dhe dënim me gjobë 200 euro;
  18. Rasti P-…/2018 në Lipjan, plotfuqishmëria më 04.08.2021, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me burg 3 muaj;
  19. Rasti P- …/2017 në Klinë, plotfuqishmëria më 19.10.2018, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me burgim 3 muaj dhe dënim me gjobë 300 euro;
  20. Rasti P-2707/2017 në Prishtinë, plotfuqishmëria më 29.12.2017, vepra: sulm seksual, dënimi: dënim me gjobë 300 euro;
  21. Rasti P-…/2021 në Viti, plotfuqishmëria më 29.05.2023, vepra: mashtrim, dënimi: dënim me gjobë 400 euro