Nisma Socialdemokrate nuk do ta përkrahë mocionin e LVV-së për rrëzimin e Qeverisë Hoti

Partia e Fatmir Limajt nuk do ta përkrahë mocionin e mosbesimit të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë të cilës i prin Avdullah Hoti i LDK-së.

Kështu tha në një prononcim për KALLXO.com deputeti i kësaj partie, Endrit Shala.

“Absolutisht jo, Vetëvendosja si grup parlamentar ka të drejtë me nis mocion të tillë, është e drejtë e tyre dhe deputetëve të tyre. Ne si Nismë Socialdemokrate, si grup parlamentar Nisma-AKR nuk e përkrahim atë mocion dhe deputetët tonë nuk e nënshkruajnë një mocion të tillë e sidomos në këtë situatë në të cilën jemi”, deklaroi Shala.

Sot gjatë ditës, LVV bëri publike se edhe zyrtarisht ka nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë Hoti.

Ndaj kësaj iniciative është deklaruar edhe partia opozitare, PDK.

Bedri Hamza tha se ende nuk kanë një qëndrim rreth mocionit por një të tillë do ta marrin së shpejti.