Haradinaj: Zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin, shkarkimi i Qeverisë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka reaguar pas aksionit të Policisë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ku u arrestuan dy zyrtarë të saj dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.

Haradinaj ka thënë se “degradimi i qeverisë ka arritur në përmasa enorme, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm”.

“Përderisa kaq shumë zyrtarë qeveritar dhe persona të afërt me qeverinë e partinë në pushtet, janë të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet, të padëgjuara më parë në Kosovë, atëherë akuzat drejtohen vetëm në një adresë.  Koka dhe udhëheqësi i tyre, është pikërisht ai që i ka angazhuar dhe i ka veshur me pushtet e përgjegjësi, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti”- ka shkruar ai në Facebook.

Haradinaj ka thënë se duhet të mbahet një seancë për shkarkimin e Qeverisë Kurti përmes mocionit të mosbesimit.

“Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja”- ka theksuar ai.

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës bastisi Ministrinë e Industrisë dhe pronat e biznesmenit Ridvan Muharremit.

Ndërsa më vonë , Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se nga aksioni i sotëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) janë arrestuar tre persona të dyshuar.

Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”

Afera në ministrinë e Rozeta Hajdarit, dërgohen në mbajtje tre të arrestuarit