Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Opozita ka shprehur gatishmëri ta nënshkruajë mocionin për rrëzimin e Qeverisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se partitë e tjera opozitare kanë shprehur gatishmërinë që të vendosin nënshkrimet për mocionin e iniciuar nga AAK-ja për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Në një konferencë për media ai tha se një shumicë e deputetëve shqiptarë dhe deputetët e pakicës, përjashtuar Listën Serbe, janë të gatshëm për këtë mocion.

“Partitë opozitare, se kam biseduar me shefat e grupeve parlamentare, kanë shprehur gatishmëri që t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellim një vendim në Kuvend. Jam i bindur që një shumicë shqiptare dhe pakicat pa Listën Serbe, është e gatshme që t’ia jep verdiktin e merituar kësaj qeverie e cila e varfëroi skajshmërisht Kosovën në rrafshin e brendshëm” – deklaroi ai.

Tutje Tahiri ka folur edhe për pozicionin e AAK-së në Kuvendin e Kosovës, pas deklaratave se partitë opozitare po bojkotojnë punimet e Kuvendit për shkak të veprimeve të Qeverisë.

“Platformën e debatimit publik e të adresimit të temave, ne e shohim këtu ku e kemi mandatin. Në aspektin e bojkotimit kemi marrë një vendim i cili do të reflektojë në komisione, në Kryesi dhe në seancë por ne e shohim rrugën tjetër”- tha ai.


Lidhja Demokratike e Kosovës ka bojkotuar të hënën mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit pas masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

LDK njoftoi se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e kryesisë as në të ardhmen, ndërsa për vendimet tjera do të merren në kryesi të partisë.

Ndvrsa, Këshilli drejtues i PDK-së ka miratuar deklaratën prej 10 pikash, përmes të cilave PDK kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme dhe ka marrë vendim që të pezullojë çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu,  përveç në situata të  jashtëzakonshme apo emergjente.