Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj e Limaj bashkojnë forcat, zyrtarizohet koalicioni parazgjedhor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë lidhur sot marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Në një konferencë për media, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se bashkimi i tyre vjen si pasojë e një ndjenje të përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Ne kemi ardhur në përfundimin se qytetari i Kosovës ka mbetur i papërfaqësuar, është lënë vetëm e në raste të caktuara edhe i luftuar nga ata që ish dashtë me u përkujdes për ta, në këtë rast nga Qeveria Kurti. Ku shihen këto shenja, së pari mundem me përmend kategoritë e lirisë, marrim për shembull mënyrën se si janë trajtuar mësimdhënësit gjatë grevave të sindikatës, shërbyesit civilë por edhe kategori të tjera”- ka thënë ai.

“Për me e ndalë luftën që bën Qeveria ndaj qytetarëve ne e kemi bërë hapin e parë – që është bashkimi për me ndryshu këtë gjendje”- tha ai.

Ndërsa, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, vlerësoi koalicionin parazgjedhor si një zhvillim pozitiv për skenën politike të Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e saj.

“Ky bashkim parazgjedhor është pa dyshim një lajm i mirë për Kosovën politike dhe qytetarët e saj. Jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale të vendit, i cili më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e forcave që kanë çka japin, duan ta shohin ndryshe zhvillimin e vendit, pozicionin e Kosovës, rrugëtimin e saj gjeostrategjik e shumë e shumë tema të tjera që do të donin t’i shihnin më mirë. Ka shumë çështje të rëndësishme për njerëzit e Kosovës që ata dëshirojnë të përmirësohen”- u shpreh Limaj.

“Kemi nevojë për një dinamikë të re në opozitë, një opozitë të angazhuar që kritikon ku duhet kritikuar dhe ofron alternativa”- deklaroi Limaj.

AAK e NISMA në koalicion parazgjedhor

Kjo nuk është hera e parë që AAK dhe Nisma Socialdemokrate bëjnë koalicion. Në zgjedhjet e vitit 2017 dy partitë patën nënshkruar koalicion parazgjedhor të cilit i ishte bashkuar edhe Partia Demokratike e Kosovës duke krijuar PAN-in që doli koalicioni fitues i zgjedhjeve të atij viti.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit, të vitit 2021, Nisma Socialdemokrate nuk kishte kaluar pragun zgjedhor kurse AAK pati marrë 7.12% të votave apo 8 deputetë.

Ditëve të fundit janë shtuar zërat se në Kosovë do ketë zgjedhje këtë vit dhe jo në shkurt të vitit të ardhshëm, sipas kalendarit.

Një pjesë e opozitës, sipas deklarimeve, nuk i frikësohet zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht nga sondazhet që tregojnë për një tjetër fitore të LVV-së.

Nga opozita deklarojnë se sa më shpejt që të shkohet në zgjedhje aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Nata e 14 shkurtit 2021 nxori Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera. Pak ditë më vonë, pas numërimit të të gjitha votave, u konfirmua ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë; një parti politike, e vetme kishte marrë mbi 50% të votave.

Ky rezultat i mundësoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijonte e vetme kabinetin e ardhshëm qeveritar.

Rezultatet i siguruan Vetëvendosjes 58 deputetë, PDK-së 19, LDK-së 15, Listës Serbe 10 dhe AAK-së 8.

Qeveria Kurti 2 u jetësua më 22 mars të vitit 2021.

“Era zgjedhje”- A do të jetë 2024 vit zgjedhor në Kosovë?