Stadiumi "Fadil Vokrri" | Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Nisin punime për rinovimin e fushës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’

Kanë filluar të premten, më 29.03.2024, punimet për rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Për renovimin e fushës në “Fadil Vokrri”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Federata e Futbollit e Kosovës kishin arritur marrëveshje në nëntor të vitit të kaluar.

Për rinovimin e fushës së stadiumit janë ndarë 1.3 milion euro.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se për të parë nga afër punimet sot në stadium ishin ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministrja, Daulina Osmani, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, zëvendësdrejtori i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani dhe Gusan Hatko, nga kompania “Hatko”, ekipi i së i cilës do të punojë në fushën hibrid të stadiumit në kryeqytet.

“Fusha Hibrid e cila do të vendoset në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ është teknologjia e fundit e fushave dhe e para e llojit të tillë në Kosovë” – thuhet në njoftim.

Stadiumi “Fadil Vokrri” ishe mbyllur për në nëntor të 2023-ës, për shkak të dëmtimit të madhe që kishte pësuar fusha, si rezultat i ngarkesës së madhe dhe mirëmbajtjes jo të duhur. Po në fund të nëntorit vitit të kaluar, UEFA nuk lejoi  “Ballkanin” që të luante në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Konferencës.