(Foto: Facebook/FC Ballkani)

Suharekasit pritet të bëhen me stadium të ri, buxhtohen 100 mijë euro

Ndonëse dy herë në gara ndërkombëtare, Klubi i Futbollit “Ballkani”, ende ndeshjet ndërkombëtare i luan jashtë shtëpisë së tij, pasi stadiumi aktual është larg standardeve për ndeshjet ndërkombëtare.

Por, kjo situatë nuk pritet të zgjas shumë, pasi Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 100 mijë euro për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit të Suharekës.

Sipas projektbuxhetit për vitin 2024, qeveria, përkatësisht MKRS do të ndajë 100 mijë euro për Stadiumin e qytetit në Suharekë.

Këto mjete, sipas MKRS janë dedikuar për hartimin e projektit për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit.

“Mjetet financiare janë ndarë për hartimin e projektit të stadiumit të ri në Suharekë. Sa i përket çështjeve të tjera, në kuadër të planit 5 vjeçar që ka për qëllim konsolidimin e infrastrukturës së futbollit dhe për të cilin është nënshkruar Memorandum mes MKRS, FFK dhe komunave po formohet grupi koordinues me përfaqësim nga të gjitha palët. Ky grup koordinues ndër të tjera ka për obligim të analizojë, hulumtojë dhe të japë rekomandime për punët të cilat do të zhvillohen”- thuhet në përgjigjen e MKRS për KALLXO.com.

Dy muaj më parë, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, patë deklaruar përmes një postimin në Facebook, se kjo komunës, përveç parcelës prej 16 hektarësh për ndërtimin e stadiumit të qytetit, ka gati edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit të kategorisë së 4-të me kapacitet rreth 17 mijë ulëse.

“Ekziston lokacioni si parcelë katastrale, në sipërfaqen 16 hektarë, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK. Po ashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit – kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse. Ne i mirëpresim zyrtarët nga ministria në fjalë për të vazhduar me procedurat tjera”- pati shkruar kryetari Muharremaj, në Facebook.

Në mungesë të një stadiumi të përmasave evropiane, Klubi i Futbollit, “Ballkani” ndeshjet ndërkombëtare nuk mund t`i zhvillojë në shtëpi.

Klubi i futbollit FC “Ballkani”, është shpallur kampion i Kosovës në futboll në Superligë për dy sezone, 2021/2022 dhe 2022/2023, për të kaluar më pas në garat ndërkombëtare. Aktualisht bën gara në fazën e grupeve në grupin C të Ligës së Konferencës së UEFA-s.

Për shkak se Stadiumi aktual i qytetit në Suharekë nuk i plotëson kriteret e UEFA-së, ndeshjet ndërkombëtare, FC “Ballkani” i zhvillon në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, e së fundmi në Tiranë në Stadiumin “Air Albania”.

Projektbuxhet i Qeverisë për 24, është miratuar në parim nga deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancën plenare të mbajtur të datës 16 nëntor 2023.

Sipas këtij projektbuxheti MKRS do të ketë në dispozicion një buxhet prej 88,118,721 euro për vitin 2024. Për fushën e sportit janë paraparë 33,835,703 euro, prej tyre mbi 27 milionë euro për arritje sportive.

Kujtojmë se në muajin janar 2023, KALLXO.com raportoi se për qytetin kampion të futbollit në Kosovë, Suharekë, Qeveria konkretisht dikasteri i kulturës dhe sportit në vend, MKRS, nuk kishte planifikuar investime për sport për 2023, ndonëse kërkesat ishin parashtruar edhe nga vet komuna.

Ndryshe, dy ekipet kampione, të të njëjtit qytet, “Golden Eagle Ylli” në basketboll dhe FC “Ballkani” në futboll janë pjesëmarrës në garat ndërkombëtare duke shënuar sukses në historinë e futbollit ndërkombëtarë të Kosovës.