Pluhuri mbulon repartet e lehonave në Gjinekologji, shkak renovimi - VIDEO

Lehonat e shtrira në Gjinekologji – QKUK, po mbajnë foshnjat e tyre në krah, në ambientet e pluhurosura të kësaj klinike, e cila po renovohet.

E zhurma e “hiltave” mbizotëron vajin e foshnjave të porsalindura.

Kjo ishte gjendja në Klinikën e Gjinekologjisë Obstetrike gjatë qëndrimit të KALLXO.com në repartet e lehonave, më 2 shkurt 2024.

Renovimi në vlerë 2.42 milionë euro, ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar e pritet të përfundojë në prill të këtij viti, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj thotë se nuk kanë hapësira për të larguar lehonat larg vendpunimeve.

Pavarësisht përpjekjeve maksimale për pastërti, Ndrejaj thotë se mund të ketë edhe pakënaqësi nga ana e pacientëve.

“Për shkak se po bëhet një renovim i madh dhe hapësira për largimin e lehonave larg vendit ku po punohet nuk kemi, detyrohemi te bëjmë maksimumin për krijimin e kushteve për nënën dhe fëmijën në ato hapësira ekzistuese” – tha ai në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Drejtori tregoi më tej se punimet janë në fazën fillestare të demolimit të hapësirave.

Udhëheqësi i Gjinekologjisë thotë se do të vazhdojnë të përkujdesen maksimalisht të përkujdesen për pastërtinë dhe mbarëvajtjen e punës sa më racionalisht në ato ambiente.

“Kërkojmë mirëkuptim nga pacientet dhe familjarët se po bëhet një renovim substancial dhe përmirësim i kushteve në të mirën e të gjithëve dhe besoj se kjo gjendje të kalojë shpejt” – përfundoi Ndrejaj në përgjigjen e tij.

Edhe drejtoria e përgjithshme e Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) tha se duhet të kihet parasysh se renovimi po bëhet për të krijuar kushte më të mira.

“Në këtë klinikë nuk është investuar me vjet të tëra, andaj ka qenë domosdoshme që të investohet” – tha QKUK për KALLXO.com.

Renovimi në Gjinekologji është investim i Ministrisë së Shëndetësisë, përmes huamarrjes nga Banka Botërore.