Nga stigma te suksesi: Histori që sfidojnë diskriminimin

Rrëfime që shpërfaqin forcën për t’u ballafaquar me diskriminimin dhe që, përkundër vështirësive, janë histori suksesi.

Anisa dhe Asije Ademi janë motra binjake nga komuniteti ashkali dhe ushtrojnë profesionin e farmacistes teknike në Prishtinë. Si të reja, ato u përballën me diskriminim dhe gjuhë të urrejtjes, vetëm për shkak të përkatësisë etnike.

Rrëfimi i tyre është një zë për grupet e margjinalizuara në Kosovë, që përkundër sfidave kanë ecur pa u ndalur dhe janë zhvilluar profesionalisht.

“Kur kemi kaluar në shkollën e mesme, kemi pasur sfida më të mëdha sepse ishim të vetmet në klasë nga komuniteti ashkali. Në fillim nuk kishte paragjykime, por duke parë konkurrencën dhe arritjet tona, filloi xhelozia” – thotë Anisa.

“Filluan të na preknin aty ku jemi pak më të ndjeshme. Kjo ndikoi që të mbyllemi pak në vete. Por ajo ishte sfida që na bëri të kuptojmë se mendimi i të tjerëve nuk vlen aq shumë kur ke qëllime për të arritur” – thotë ajo, duke u bërë thirrje familjeve që t’i përkrahin fëmijët dhe të kujdesen për shkollimin e tyre.

Sipas raporteve të UNICEF-it, në Kosovë nga viti 2020 deri në vitin 2023, rreth 400 fëmijë në mbarë vendin e kanë braktisur arsimin e obligueshëm. Pjesa më e madhe e fëmijëve ishin nga tri komunitetet, rom, ashkali dhe egjiptian.

Tash, pasi e kanë përfunduar shkollimin dhe janë punësuar si farmaciste, Anisa dhe Asije Ademi nga Ferizaj thonë se rruga deri te arritjet e sotme nuk ka qenë e lehtë.

“Tu kanë vajzë dhe tu kanë nga komuniteti ashkali u kanë dyfish zor për neve, gjykime kemi pasur gjithmonë” – thotë Asije Ademi.

Anisa dhe Asije Ademi

“Normal që kemi pasur paragjykime dhe çdo paragjykim të kujtohet e nuk harrohet, por nuk na kanë ndalur që ne të dyja të vazhdojmë” – shton ajo.

Muharrem Shala është një jurist nga komuniteti egjiptian dhe aktualisht punon si avokat në Pejë. Për disa vite me radhë ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës dhe në atë të Prishtinës.

Për të, diskriminimi nuk ka qenë problem asnjëherë, pasi thotë se secili duhet t’i vendosë vetes qëllime në jetë.

“Së pari, të gjithë të jenë vetvetja, sepse për të qenë vetvetja janë tri kritere kryesore: integriteti njerëzor, moral dhe profesional. Thashethemet, sepse njerëzit flasin në mënyra të ndryshme, siç u konvenon, t’i lënë anash secili prej nesh” – thotë Shala, ish-gjyqtar dhe tani avokat.

“Gjithkujt duhet me ia tregu vijën e kuqe deri ku është, por në qoftë se ajo tejkalohet, duhet me reagu në mënyrë të përshtatshme. Porosia ime është që duhet angazhim në drejtim të arsimimit dhe edukimit; asnjë popull nuk ka dritë nëse nuk arsimohet” – thotë Muharrem Shala.

Muharrem Shala, Avokat

Gynesh Veshall është një aktore dhe aktiviste nga komuniteti rom në Prizren. Ajo kujton paragjykimet dhe diskriminimin që i është bërë ndër vite.

“Paragjykimi që e mbaj në mend dhe që kurrë nuk kam për ta harruar është kur një shoqe më ka njoftuar me një shoqe të saj dhe i ka treguar që jam nga komuniteti. I ka thënë: ‘Hajgare je tu bo, kjo shumë e bardhë për me qenë në komunitet’” – kujton ajo.

Veshall thotë se njerëzit nuk duhet të gjykohen në bazë të pamjes dhe ngjyrës së lëkurës.

“Një vajzë e komunitetit mund të duket edhe kështu, mund të flasë mirë shqip, mund të flasë edhe gjuhë të tjera, mund të kryejë edhe një shkollë, mund t’i bëjë të gjitha gjërat që i bëjnë vajzat e tjera” – thotë aktorja nga Prizreni.

Sipas saj, një problem i vazhdueshëm mbetet edhe komunikimi në platformat online, ku gjuha e përdorur godet më së shumti grupet e margjinalizuara në Kosovë.

“Shumë po krijojnë një ambient toksik, jo vetëm për komunitetin rom ose për fëmijët, por globalisht po krijohen probleme të mëdha. Duhet me gjet mënyrë qysh me i parandalu ose me i ndalu” – thotë Gynesh Veshall.

“Po mendoj që rrjetet sociale ndonjëherë po ndikojnë keq në paragjykimet e shoqërisë sonë” – shton ajo.

Gynesh Veshall, Aktore

Sipas aktores, problemi rritet kur pjesëtarët e komunitetit nuk mund të gjejnë një vend pune vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Për këtë, ajo pret që institucionet e shtetit të ngrenë alarmin dhe të marrin masa.

“Kam paragjykime, kam me pasë, ama kam arritë diçka… unë dhe të tjerët. Nganjëherë mendoj që në krejt botën ka paragjykime për komunitetin rom; është keq me mendu që veç pse je i komunitetit nuk po të pranojnë në punë” – thotë Gynesh Veshall.

Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit thotë se punësimi i vajzave dhe grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vazhdon të mbetet problem.

“Realisht, çështja më shqetësuese është me vajzat dhe gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të cilat fatkeqësisht ende janë larg punësimit. Kemi një numër shumë minimal. Nëse e shohim vetëm administratën publike në tërësi, janë diku vetëm 140 persona të këtyre komuniteteve që janë të punësuar” – thotë Gusia.

Sipas kryeshefes ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, arsimi te fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është një tjetër problem me të cilin po merret qeverisja qendrore.

“Një në pesë fëmijë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian ende ka problem me lexim, ndërsa një në 10 fëmijë ende ka probleme me numërim. Po ashtu, shkalla e vijueshmërisë në shkollat e mesme të ulëta është rreth 60%, ndërsa në shkollat e mesme të larta rreth 30%. Problemi më i madh është se 46% e fëmijëve romë nuk e përdorin gjuhën e njëjtë të komunikimit në shtëpi me atë që përdoret në shkolla” – thotë Gusia.

Mimoza Gecaj-Berisha është një grua tjetër nga komuniteti egjiptian që kapërceu paragjykimet dhe nisi karrierën si gjinekologe. Me punën që bën, ajo ka paciente nga të gjitha komunitetet. Por thotë se gjatë rrugës ka hasur në paragjykime.

“Unë kam punuar shumë për këto që jam, por ne si komunitet jemi të diskriminuar në çdo moment. Në rrugë, në çerdhe, në shkollë” – thotë ajo.

Mimoza Gecaj- Berisha, Gjinekologe

“Jemi shoqëri ende raciste, pavarësisht që shumica kemi arritur të vetëdijësohemi, por ka ende shumë punë për të bërë” – thotë Mimoza Gecaj-Berisha.

Për Mimoza Gecaj-Berishën, arsimimi do t’i fuqizonte gratë dhe vajzat e komuniteteve. Sipas saj, nëse një vajzë është e shkolluar, fiton pavarësinë e saj.

“Në momentin që një grua nuk është e shkolluar, sigurisht që nuk do ta ketë pavarësinë e vet. Një femër që nuk është e shkolluar nuk e ka guximin. Ne kemi shumë punë për të bërë në bindjen e familjeve që është shumë e rëndësishme të bëhet shkollimi i vajzave, sesa ato të mbesin në shtëpi ose, më e keqja, të martohen në mosha shumë të hershme” – thotë ajo.

Dokumentari “Gjurmët e Diskriminimit” është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të programit Reporting Diversity Network (RDN). Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e Internews Kosova dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian apo RDN-së.