ILUSTRIM -kalimi-kufitar-Kosove-Serbi

Nga sot automjetet me targa RKS mund të qarkullojnë lirshëm në Serbi

Nga sot, të gjitha automjetet të regjistruara me targa RKS do të mund të qarkullojnë lirshëm në Serbi.

Kjo pasi që javën e kaluar qeveria serbe ka vendosur që t’i njohë këto targa.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë” – kishte thënë drejtori i ashtuquajtures ‘Zyrë për Kosovën’, Petar Petkoviq, sipas raportimeve të mediave serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se me këtë vendim, qeveria e tij ka shmangur “grackat dhe rreziqet e mëdha” për vendin. Ai pati shtuar se ky vendim do të jetë në dobi të popullit serb dhe të Serbisë në tërësi.

Ky vendim ishte vlerësuar edhe nga Bashkimi Europian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e ka quajtur si hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve, vendimin e Serbisë për t’i njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova.

Mirëpo, ndryshe është parë ky vendim nga krerët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ky vendim i qeverisë serbe duhet të lexohet si përpjekje e Serbisë për të ulur presionin perëndimor lidhur me parregullësitë në zgjedhjet e 17 dhjetorit, refuzimin e marrëveshjes bazë të Brukselit e dështimit në Banjskë më 24 shtator.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ky vendim nuk tregon konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është maskim, përmes të cilit duan të kamuflohen pas dështimit në Banjskë.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë. Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, më 30 shtator të po atij viti, me ndërmjetësim të BE-së, u arrit marrëveshja e përkohshme mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve.

Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës,  nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3,405 qytetarë në veri kanë konvertuar targat e tyre në RKS.

Çështja e targave ka shkaktuar kriza në veri vitin e kaluar, që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.