Si duhet të lexohet sipas Kurtit, vendimi i Serbisë për pranimin e targave të veturave të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Serbisë për njohje të tabelave të veturave të Republikës së Kosovës, duhet të lexohet si përpjekje e Serbisë për të ulur presionin perëndimor lidhur me parregullësitë në zgjedhjet e 17 dhjetorit, refuzimin e marrëveshjes bazë të Brukselit e dështimit në Banjskë më 24 shtator.

Kurti në mbledhjen e qeverisë theksoi se vitin e kaluar targat u përdorën për kërcënim të sigurisë në Kosovë.

“Ndonëse i shërben lëvizjes së lirë mes dy shteteve, ky vendim po vjen pas 10 vitesh mos zbatimi, përdorimi 2 vjeçar i çështjes së targave nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë dhe tash së fundi si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit. Targat në Kosovë në shtator të vitit 2021 përdoreshin edhe për të kërcënuar Kosovën përmes avionëve mig29 të ngritur në qiell rreth kufirit duke tentuar destabilizim mes 16 barrikadave në komunat veriore në dhjetor të vitit të kaluar”- deklaroi Kurti.

“Këtë vit po përdoren për të ulur presonin nga BE-SHBA mbi zgjedhjet jo të rregullta për të mbuluar refuzimin zyrar të marrëveshjes bazë të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit Europian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin në Banjskë më 24 shtator”- shtoi tutje Kurti.

Sipas Kurtit, më shumë se konstruktivitet, “ky veprim është një manovër e radhës jo për hir të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd.”

Derisa, theksoi se vendimi nga ana e Kosovës do merret pasi policia kufitare të dokumentojë se zbatimi po bëhet pa pengesa.

“Qëndrimi ynë për targat ka qenë i mbështetur mbi parimin e reciprocitetit, vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke do ta marrim sapo policia jonë kufitare  të dokumentojë se Serbia po e zbaton pa pengesa vendimin e saj”- shtoi Kurti.

Mediat serbe raportojnë se Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që ta zbatojë marrëveshjen e targave me Kosovën