Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi: Vendimi i Serbisë për targa s’tregon konstruktivitet, është maskim pas dështimit në Banjskë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar pas vendimit të Sebisë për t’i njohur zyrtarisht targat zyrtare të automjeteve të lëshuara nga Kosova – RKS.

Sipas Bislimit, ky vendim nuk tregon konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është maskim, përmes të cilit duan të kamuflohen pas dështimit në Banjskë.

“Ky është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë ku targat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato”- është shprehur Bislimi.

“Gjithashtu duhet të theksojmë dhe rikujtojmë, se ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”- vlerëson ai.

Bislimi ka thënë se çështja e targave mbi 10 vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar dhe sipas tij, për 2 vite marrëveshje e përdorur si “mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim”.

“Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë. Me 30 shtator, u arrit marrëveshja për fillimin e punës, në kuadër të së cilës u krijuan grupet teknike, dhe u zhvilluan gjithsej 8 takime në nivel teknik nga tetori 2021 deri në muajin prill 2022”- ka shkruar Bislimi në Facebook.

Numri dy i Qeverisë thekson se është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, siç tha ai, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës.

“Që nga fillimi, pozicioni i delegacionit tonë në Bruksel ishte i qartë: na duhet një zgjidhje e përhershme në linjë me standardet e Bashkimit Evropian dhe propozimi i vetëm i Kosovës si dhe zgjidhja ideale në këtë drejtim ka qenë që Kosova dhe Serbia t’ia njohin targat njëra tjetrës në modelin aktual – të cilat janë në përputhje me standardet e BE-së – e pa asnjë ndryshim”- ka dekalruar ai.

“Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës”- shton Bislimi.

Drejtori Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të hënën ka thënë se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes” – ka deklaruar Petkoviq, duke insistuar se nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Ndërsa, zëdhënës i Bashkimit Europian, Peter Stano, e ka quajtur si hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve vendimin e Serbisë për t’i njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova.

Stano në një përgjigje për KALLXO.com theksoi se BE-ja mirëpret vendimin e Serbisë.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të dialogut lidhur me lirinë e lëvizjes. Ajo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – ka deklaruar ai.

Stano vlerëson se ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve (stikersave).

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë. Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, më 30 shtator të po atij viti, me ndërmjetësim të BE-së, u arrit marrëveshja e përkohshme mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të automjeteve.

Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës,  nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3,405 qytetarë në veri kanë konvertuar targat e tyre në RKS.

Çështja e targave ka shkaktuar kriza në veri vitin e kaluar, që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.