Nesër fillon "Java e Krenarisë 2022" në Prishtinë
Nga nesër do të fillojë “Java e Krenarisë 2022” në Prishtinë.
“Java e Krenarisë 2022” do të zgjasë ndërmjet datave 6 dhe 9 qershor.
Hapja zyrtare do të bëhet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, prej orës 18:00.
“Hapja zyrtare e Javës së Krenarisë bëhet nën patronimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër Diskriminimit – Zyra e Kryeministrit”, thuhet në njoftim.
Në edicionin e saj të 6-të , “Java e Krenarisë”, nëpërmjet sloganit “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE” synon të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.
Në njoftim thuhet se “Parada e Krenarisë”, përveç festimit, duhet të konsiderohet si rezistencë paqësore për të adresuar çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+.
“Partitë politike, qeveria dhe presidenca në anën tjetër nuk i kanë prioritet të drejtat LGBTIQ+, përkundrazi personat queer përdoren nga ta për të arritur në pushtet. Në njërën anë tregohen progresiv në tryeza të mbyllura me ndërkombëtarë e shoqëri civile, në anën tjetër tentojnë t’i largohen sa më shumë temave të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në fushata e komunikim me votuesit”, thuhet në njoftim.