Gashi: Nëse ministrja Haxhiu e përkrah komunitetin LGBTI, nuk duhet të pranojë tjetër Kod Civil

Kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka thënë se publiku ende nuk e di qëndrimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me Kodin e ri Civil.

Gashi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se ministrja Haxhiu nuk duhet të pranojë Kod Civil tjetër përpos të kaluarit nëse dëshiron ta përkrahë komunitetin LGBTI.

“Ne ende prej ministres së Drejtësisë nuk e kemi qëndrimin se qysh do të vijë Kodi Civil i ri, kur ka me ardhë e se cila ka me qenë qasja. Nëse ministresha e Drejtësisë don me përkrah këtë komunitet, don me përkrah të drejtën e tyre, ajo nuk pranon Kod tjetër Civil përpos atij që e ka si draft të parë atëherë. Ministrat, politikanët jetojnë për këto gjera, për të bërë gjera të mëdha në shtet”, ka thënë Gashi.

Tutje ai ka thënë ministrja do të duhej të jepte dorëheqje në situatën kur partia nuk voton pro një Kodi Civil që ministrja dëshiron ta dërgojë përpara.

“Nëse partia nuk e voton një Kod Civil të cilin ajo po don me shty, të cilin e ka dërgu si draft, unë mendoj që në situatë të tilla ministrat duhet më dhënë dorëheqje. Duhet me insistu dhe më kërcënu edhe partinë me dorëheqje. Këtë nuk e kemi parë ende duke e bërë”, ka thënë Gashi.

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

Gashi ka folur edhe për mungesën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti sot në “Paradën e Krenarisë” në Prishtinë.

Ai ka thënë se kryeministri është i të gjithëve dhe duhet t’i përkrahë të gjithë.

“Sot kemi qenë në shesh dhe nuk i kemi parë të gjitha grupet politike duke e përkrahur komunitetin. Sot ka munguar kryeministri në shesh dhe kjo na tregon që ai ka marrë qasje, është duke e përkrahur një grup tjetër. Si kryeministër ai duhet me i përkrah të gjithë. Qoftë komunitetin LGBTI, qoftë pakicat, qoftë veteranët, qoftë mësuesit. Ai është kryeministër i të gjithëve”, ka shtuar Gashi.

Sot në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë”.

Figura publike, politikanë, ambasadorë e aktivistë të shumtë janë parë pjesëmarrës , por në mesin e tyre nuk kanë qenë e para e shtetit, Vjosa Osmani. as shefi i Qeverisë. Albin Kurti.

Të dy udhëheqësit në kohën sa është mbajtur “Parada e Krenarisë” kanë qenë pjesëmarrës në aktivitete të tjera.

Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.

“Parada e Krenarisë” pa të parët e shtetit