
Çerkica Rexhepi: Në vitin 1993 kam shku nuse në Pejë
Aktivistja Çerkica Rexhepi në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer historinë e saj.
Rexhepi ka thënë se në vitin 1993 është martuar me një djalë në qytetin e Pejës.
Ajo ka thënë se me vullnetin e saj ka shkuar nuse dhe ka jetuar nëntë muaj me familjen e djalit në fjalë.
“Unë u martova në Pejë. U bëra nuse. Me vullnet jam martuar. Jam martuar me një djalë. I kam hyrë brenda djalit, me vello. Në vitin 1993. U martova, qëndrova aty nëntë muaj”, ka thënë Rexhepi.
Ajo ka rrëfyer se nuk ka qenë e martuar zyrtarisht.
Çerkica Rexhepi tutje ka thënë se në atë kohë e kanë kërcënuar duke i thënë se do ta lajmërojnë në Polici për këtë çështje.
“Më kanë thanë që kanë me t’i thirrë policinë, Policia e atëhershmit si e kanë marrë vesh që je gay, t’i kanë thye këmbë e duar, të kanë lënë invalid”, thotë ajo.
Rexhepi teksa ka rrëfyer jetën e saj ka thënë se është kthyer në vendlindjen e saj në Fushë-Kosovë kur i kanë thënë se familja e saj e kanë kuptuar që Çerkica është martuar në Pejë.
“Më thanë që e kanë kuptu familja që janë martuar, edhe kanë me t’i sjell Policinë. Pas kësaj, mbas dy ditëve jam kthyer e jam ardhur në Fushë-Kosovë. Kur kam ardhur në Fushë-Kosovë vëllai ka dashtë me m’i hekë flokët. Ju thash që kam me dalë prej shtëpisë krejt dhe mos më lypni as me Polici, lërmëni rahat”, ka shpjeguar ajo.
Në Projektkodin Civil për personat me sekse të njëjta thuhej se bashkësitë e regjistruara civile mes tyre janë të lejuara.
“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, shpjegohet në Projektkod.
Sot në Prishtinë është mbajtur “Parada e Krenarisë”.
Qytetarë, aktivistë, deputetë të Kosovës e ambasadorë të vendeve të huaja kanë bërë thirrje që personat e komunitetit LGBTQI+ të pranohen për orientimin e tyre seksual.
Slogani i paradës për këtë vit ka qenë “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE”, që ka synuar të pasqyrojë praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.