Nën kërcënimin e briskut kreu grabitje në zyrën e një operatori telefonik, Prokuroria ngrit aktakuzë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.L., i cili gjendet në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Grabitja” më 08.10.2023 në zyrat e një operatori telefonik si dhe kanosjes serioze të një personi gjatë kryerjes së veprës.

Sipas aktakuzës, më datë 08.10.2023, rreth orës 14.00, në Prizren, saktësisht në zyrat e operatorit telefonik me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, i dyshuari përvetëson pasurinë e luajtshme të të dëmtuarës “T.K.- Sh.A”, me qëllim që t’i sjellë vetes dobi pasurore të kundërligjshme.

“Sapo hyn brenda në objekt ofrohet te punëtorja – e dëmtuara D.T., të cilës i kërkon informata rreth ofertave, e dëmtuara pasi i merr numrin e telefonit dhe derisa ishte duke i shpjeguar ofertat, në ato momente i pandehuri e nxjerrë briskun dhe nën kërcënim të të njëjtit i hedhet mbi trup, me forcë i zgjat duart tek arka dhe duke e larguar të dëmtuarën nga tavolina e godet të njëjtën në fytyrë dhe qafë dhe i shkakton lëndime të lehta trupore, dhe nga arka arrin të marrë një shumë të hollash, dhe largohet nga vendi i ngjarjes për në drejtim të panjohur, i cili në ikje e sipër e hedh në vend të panjohur briskun, mjet ky me të cilin e kishte kryer veprën penale”- thuhet në aktakuzë.

Tutje, bëhet e ditur se Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.