Në njërën veturë të sekuestruar në Banjskë u gjetën dokumente të Millan Radoiçiqit

Një veturë luksoze e tipit “Mercedes G-Class” e konfiskuar dhe e ekspozuar sot në kampin e Policisë “Enver Zymeri” dyshohet se është e të kërkuarit nga drejtësia kosovare, Millan Radoiçiq.

Brenda kësaj veture janë gjetur disa dokumente për posedim të armëve me emrin e Millan Radoiçiqit.

Kjo veturë dhe 23 të tjera janë lënë mbrëmë në Banjskë nga grupi terrorist pas sulmit të pandërprerë që i bënë Policisë nga orët e hershme të mëngjesit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar sot listën e lejeve zyrtare të Serbisë që i janë dhënë Radoiçiqit dhe lista me armët që ai posedon.

“Në këto materiale kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit Millan Radoiçiq që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Ai është nënkryetar i Listës Serbe që është e bashkërenduar me Aleksandar Vuçiqin”- tha ai.

KALLXO.com gjatë këtyre dy ditëve ka qëndruar në veri të Kosovës dhe nga afër ka përcjellë të gjitha zhvillimet nga Zveçani.

Mjete të rënda, mitralozë, granatahedhës, granata dore, Kallashnikovë, armë të gjata e të shkurta, uniforma, maska, municion, u gjetën e u sekuestruan nga forcat policore që nga dje pasdite.

I gjithë ky armatim ushtarak i përkiste grupit terrorist që fillimisht vrau një polic e plagosi një tjetër e më pas u bart në Banjskë,  ku qëndruan për disa orë e shumica nga ta u arratisën.

Informacionet e fundit që ka KALLXO.com janë se edhe një automjet me armatim u gjet në Banjskë në orët e pasdites se sotme në rrugën për Izvor e që dyshohet se grupi e la në rrugë gjatë arratisjes.