Mbledhja e Senatit të UP-së, 28.05.2025, Foto: KALLXO.com
Në javën e fundit të qershorit Senati i UP-së zgjedh anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues
Senati i Universitetit të Prishtinës pritet që në muajin qershor 2025 t’i zgjedhë anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të UP-së që janë nga radhët e personelit akademik.
Këshilli Drejtues i UP-së është organi kryesor qeverisës i Universitetit, i cili përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati i UP-së zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.
Thirrja për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës nga radha e personelit akademik do të shpallet më 02.06.2025.
Në mbledhjen e Senatit të Universitetit të Prishtinës më 28.05.2025 përveç që u vendos njëzëri që të shpallen zgjedhjet për anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së, u caktuan edhe anëtarët e komisionit zgjedhor, i cili do ta menaxhojë procesin zgjedhor në këtë rast.
Komisioni zgjedhor i cili u votua në Senatin e UP-së që ta menaxhojë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së përbëhet nga tre anëtarët: prorektorja Majlinda Gjelaj, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit, Florian Miftari dhe senatorja e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Kreshnike Dedushaj-Hoti.
Senatorët të cilët u propozuan për anëtarë të komisionit zgjedhor nuk morën pjesë në votimin e tyre për anëtarë të këtij komisioni. Kurse, senatori nga Fakulteti Filozofik në UP, Sejdi Rexhepi, abstenoi për këtë përbërje të komisionit.
Rexhepi tha se mos krijohet mundësia e konfliktit të interesit në rastin e prorektores Gjelaj që të jetë pjesë në komisionin zgjedhor për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, përderisa Gjelaj bën pjesë në menaxhmentin, i cili i raporton këtij Këshilli.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, tha se e kanë pyetur Agjencinë e Parandalimit të Korrupsionit (APK) nëse paraqet konflikt interesi votimi i tyre si menaxhment në zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së.
Hajrullahu tha se përgjigjja është “Jo, nuk ka konflikt interesi, sepse ne jemi senatorë sikurse jeni ju edhe gjithë tjerët”.
“Unë vetëm i dëshiroj Universitetit të Prishtinës një Këshill Drejtues i cili e mban rreptë rektorin përgjegjës për punën apo mospunën dhe i cili nuk e pengon punën e këtij Universiteti, nuk bëhet pengesë por promovues” – tha rektori Hajrullahu gjatë mbledhjes së Senatit.
Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së do të bëhet me votim të fshehtë në mbledhjen e Senatit të UP-së e cila vendoset të mbahet në javën e fundit të muajit qershor 2025.
Aktualisht, Këshilli Drejtues i UP-së ka këta katër anëtarë nga Ministria e Arsimit nga data 17.09.2021: Altin Sahiti (kryetar), Arbëresha Nela-Turjaka (Zëvendëskryesuese), Hajrullah Koliqi dhe Arta Shehu Zaimi. Këta anëtarë janë në vitin e katërt të mandatit të tyre në Këshill.
Kurse, pesë anëtarët nga personeli akademik i UP-së në Këshill Drejtues janë: Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Selim Bezeraj dhe Rifat Krasniqi.
Pesë anëtarëve nga personeli akademik i UP-së u përfundon mandati më 01.10.2025 në Këshill Drejtues.
Sipas Statutit të UP-së, mandati i anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së zgjat tri vjet me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat.
Zgjedhjet për Këshillin Drejtues mbahen në qershor, kurse mandati i Këshillit Drejtues fillon më 15 shtator.
Anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së nuk mund të zgjidhen: rektori, prorektori, dekani, prodekani; anëtarët e Senatit; sekretari i përgjithshëm, sekretari i fakultetit; personat që kanë ushtruar një aktivitet partiak apo politik në pesë vjetët e fundit nga dita e shpalljes së konkursit.
Ky Këshill ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.
Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë, dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria e Arsimit ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.
Në mbledhjen e Senatit të UP-së po ashtu u vendos që konkursi për profesor dhe asistent të angazhuar për vitin akademik 2025/2026 të shpallet të premten, më 30.05.2025. Titulli profesor dhe asistent i angazhuar u ndryshuan nga titujt e mëparshëm që kanë qenë – bashkëpunëtor i jashtëm dhe bashkëpunëtor i jashtëm për ushtrime.
Njëzëri u miratua edhe Rregullorja për Zyrën e Ombudspersonit në UP, e cila do të jetë e para e këtij lloji, pasi UP nuk ka pasur një zyrë të tillë deri më tani.
Sipas nenit 105 të Statutit të UP-së, zyra e rektorit themelon Zyrën e Ombudspersonit për studentë si mekanizëm shtesë dhe alternativ në dispozicion për studentët për të trajtuar rastet e zbatimit të rregullativës për të drejtat e studentëve.
Studentët do të mund të kontaktojnë Zyrën e Ombudspersonit lidhur me rastet e keqpërdorimit, abuzimit, shkeljes së të drejtave apo shkeljes së parimeve të administrimit të mirë në universitet e që prekin mirëqenien dhe përparimin e studentëve në studim.
Ombudspersoni do të ofrojë opinione të pavarura rreth çështjeve të ngritura nga studentët, mirëpo nuk zëvendëson mekanizmat ekzistues disiplinor dhe ankimor e as mekanizmin e Këshillit të Etikës të UP-së.