Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës. FOTO- Urim Krasniqi
Funksionalizohet Këshilli Drejtues i UP-së, Nagavci emëron katër anëtarë
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka emëruar 4 anëtarët e Këshillit Drejtues të UP-së.
Ky këshill ishte jofunksional që nga muaji korrik dhe ministrja ka emëruar këta anëtarë: Hajrullah Koliqi, Arta Shehu Zaimi, Arbëresha Nela Turjaka dhe Altin Sahiti.
Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, ministrja i ka emëruar anëtarët e rinj pasi ish-anëtarët e emëruar nga MAShTI kishin dhënë dorëheqje.
KALLXO.com kishte raportuar në muajin korrik se ky këshill kishte mbetur jo funksional dhe mbledhja e fundit ishte mbajtur në muajin maj.
Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit.
Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.