Në financimin e PDK-së kontribuan edhe Abelard Tahiri e Blerand Stavileci

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2019.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se ka marrë vetëm 35 mijë e 897 euro nga 17 donatorë.

Në mesin e atyre që kanë dhuruar donacion për partinë janë edhe ish-ministrat, Blerand Stavileci dhe Abelard Tahiri.

Të dytë së bashku për partinë e tyre kanë kontribuar më 2,000 euro, secili nga 1,000 euro.

Abelard Tahiri aktualisht në PDK është udhëheqës i Departamentit për çështje organizative, ndërsa Blerand Stavileci është drejtor ekzekutiv i partisë

Ndërsa në total PDK ka deklaruar se ka të hyra 1 milion e 280 mijë e 952 euro, ku pjesa më e madhe e tyre janë të hyra nga buxheti.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se për vitin 2019 ka shpenzuar 1 milion e 359 mijë e 615 euro, në të cilat janë përfshirë pagat dhe kompensimet, shpenzimet e transportit, reklama reprezentacion dhe konferenca, shpenzime të fushatës, blerje të mallrave si dhe shpenzime të tjera.

Më së shumti shpenzime partia e udhëhequr nga Kadri Veseli ka pasur në paga dhe kompensime, gjithsej 419 mijë e 104 euro, ndërsa më së paku shpenzime në transport, 2 mijë e 488 euro.

Në fushatën për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, PDK ka deklaruar se ka shpenzuar 316 mijë e 966 euro.