Ilustrim

Ndalet puna në minierën e Stantërgut, shkak vonesa e pagave

Ndalja e punës nga minatorët në Ndërmarrjen Publike Trepça në Stantërg po bëhet e shpeshtë për shkak të mosrealizimit në kohë të pagave.

Këtë e ka konfirmuar, drejtori i Minierës në Stantërg, Bujar Jashari.

“Po momentalisht punën e kanë ndërpre për shkak të vonesës së pagës, për asnjë arsye tjetër. Aktualisht në punë nuk janë se kanë shku. Kanë qenë ndërrimi i parë nuk e ka vazhdu punën për shkak të vonesës së pagës”, ka thënë Jashari.

Tutje ai shpreson që ndërrimi i dytë ta vazhdojë punën.

“Tash ndërrimi i dytë prej 15:30 fillojnë punën. Unë atje ka me shku. Mendoj që ndoshta ndërrimi i dytë të vazhdojë punën”, theksoi ai.

Tutje, kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi thotë se greva është duke u mbajt këto ditë.

“Po është një grevë, është duke u zhvillu për shkak të mosrealizimit të pagave. Edhe dje edhe sot është duke u mbajt një grevë”, konfirmoi Januzi.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga menaxhmenti, kryeshefi i Ndërmarrjes publike “Trepça”, Enis Abdurrahmani, po i njëjti nuk është përgjigjur.