Naim Ternava

Naim Tërnava: Ftoj botën demokratike të veprojë shpejt pas bombardimit të spitalit në Gaza

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, është shprehur i tmerruar nga lajmi për bombardimin e një spitali në Gaza, ku qindra persona humbën jetën.

Tërnava përmes një shkrimi të shpërndarë nga Bashkësia Islame e Kosovës ka potencuar se e dënojnë ashpër këtë veprim, i cili, sipas tij, është krim kundër njerëzimit.

“Jam i tmerruar e i trishtuar pas lajmit për bombardimin dhe granatimin e spitalit në Gaza, ku humbën jetën qindra qytetarë të pambrojtur e të pafajshëm, gra, fëmijë, të sëmurë dhe të plagosur. Dënojmë në formën më të ashpër këtë veprim, i cili është krim kundër njerëzimit”- është shprehur Tërnava.

Myftiu ka ftuar botën demokratike që të ndërmarrë hapa në parandalim të vrasjeve të tjera.

“Ftoj botën demokratike e qytetëruese, që të ndërmarrë hapa e të veprojë me shpejtësi në parandalimin e një kasaphaneje në Gaza, për të cilën do të jemi përgjegjës që të gjithë”- është shprehur tutje ai.

Tërnava ka potencuar se duhet parandaluar një holokaust i ri.

“Duhet gjetur mundësitë e premisat për ndaljen e luftimeve, kthimin në dialog e marrëveshje, si dhe rrugën për jetë në paqe e qetësi për të dy popujt. Të ndalojmë dhunën, të parandalojmë holokaustin e ri!”- është shprehur ai.

Gjatë një konference për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti amerikan Joe Biden tha se të dhënat tregojnë se Izraeli nuk është përgjegjës për shpërthimin që la qindra të vdekur në një spital në Rripin e Gazës të martën mbrëma.

 

Izraeli e mohon përfshirjen në bombardimin e spitalit në Gaza, ku u vranë të paktën 500 persona