FOTO: KALLXO.com

Nagavci për dhunën ndaj fëmijës në çerdhen në Fushë-Kosovë: Pamja ishte vërtetë skandaloze

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e ka quajtur “skandaloze” pamjen që u bë virale ditë më parë ku dyshohet se ndaj një 3-vjeçari në një çerdhe në Fushë-Kosovë është ushtruar dhunë.

“Pamja ishte vërtet skandaloze, dhe ajo që është më shqetësuese për mua është se shihet se nuk është vetëm një veprim i një personi por dukej se ajo ka qenë mëse e zakonshme. Përderisa shohim se janë dy ose tre persona të përfshirë në atë pjesë” – tha Nagavci në emisionin “Kallxo Përnime”.

E para e MASHTI-t tregoi edhe për hapat e ndërmarrë për këtë rast pas publikimit të pamjeve.

“Sa na takon neve si Ministri, në rastin e parë në mbrëmjen që është bërë publike informata, në mëngjes në orën e parë të fillimit të punës inspektorët e arsimit kanë qenë në vizitë në çerdhe, po ashtu kanë pasur vizitë edhe në DKA dhe gjatë kohës sa ato kanë qenë aty kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarët policorë që në të njëjtën kohë e kanë hetuar rastin” – tha ajo.

Ministrja gjithashtu njoftoi se do të dyfishohet edhe numri i inspektorëve.

“Në kuadër tonin janë edhe Departamenti i Inspektoratit. Ne aktualisht kemi një numër të kufizuar të inspektorëve, jemi në finalizim të procesit të konkursit për zgjedhjen e inspektorëve të rinj që do të dyfishojnë numrin e inspektorëve” – theksoi Nagavci.

.