Arbërie Nagavci

Nagavci: Akreditohen për një vit programet e Fakultetit të Arteve dhe Fakultetit të Bujqësisë të UP-së

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) ka vazhduar akreditimin për një vit të programeve të studimit të Fakultetit të Arteve dhe programeve të studimit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës.

Sipas ministres Nagavci, akreditimi njëvjeçar i programeve të dy fakulteteve nënkupton se do të shpallen konkurset për pranimin e studentëve në studimet themelore për vitin akademik 2024/2025.

“Kjo nënkupton që sapo të jenë gati do t’i bëjnë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri akademik si dhe shpalljen e konkurseve për studentë konform legjislacionit në fuqi” – ka shkruar ministrja Nagavci në Facebook më 15.08.2024.

Ministrja Nagavci ka treguar po ashtu se në fillim të muajit gusht, duke u bazuar në Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), ka nënshkruar udhëzimin administrativ për masa afirmative për programet e komuniteteve joshumicë dhe programet e arteve.

Si përfundim, Nagavci thotë se UP-së i mbetet t’i zgjidhë përfundimisht problemet infrastrukturore të trashëguara me vite, ndërsa u ka uruar suksese të gjithë studentëve.

Universiteti i Prishtinës më 04.07.2024 e hapi konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore të nivelit bachelor për vitin akademik 2024/2025 në dymbëdhjetë fakultete, por jo edhe për Fakultetin e Arteve dhe Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Për moshapjen e konkursit për pranimin e studentëve në Fakultetin e Arteve në UP, ministrja Nagavci në një konferencë për media më 24.07.2024 tha se në dy fakultetet publike të arteve, në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, këto fakultete kanë programe për të cilat pas miratimit të Ligjit të ri të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, nevojitet që bartësit të kenë disa kritere kualifikimi.

“Meqë në rastet e caktuara, nisë edhe nga praktikat e vendeve të tjera, jo detyrimisht kërkojnë të njëjtat kualifikime sikurse edhe te profilet të tjera, specifikisht edhe për programe të caktuara, ka bartës aktual të cilët nuk kanë doktoraturën p.sh të përfunduar apo janë në proces të doktoraturës dhe natyrisht në kuadër të kompetencave tona si Ministri, gjegjësisht si ministre e Arsimit kemi shqyrtuar gjithë bazën ligjore për të ofruar lehtësitë për periudhën tranzicionale, gjegjësisht për periudhën një apo trevjeçare” – ka thënë Nagavci më 24.07.2024.

Udhëzimi administrativ për bartësit e programit të Fakultetit të Arteve të UP-së dhe për programet e komuniteteve joshumicë është nënshkruar nga ministrja Nagavci më 25.07.2024, ndërsa është publikuar më 01.08.2024.

“Bartësi i programit në fushën e artit/shkencave të aplikuara duhet të ketë diplomë ekuivalente me PhD që përshtatet me profilin shkencor të programit ose mbi 50% e përmbajtjes kurrikulare (lëndëve) të programit për të cilin aplikon IAL ( Institucioni i Arsimit të Lartë)” – thuhet në nenin 4 të pjesës së dytë të udhëzimit administrativ 01B-03/2024.

KALLXO.com më 11.07.2024 e ka pyetur Fakultetin e Arteve të UP-së se çka do të ndryshojë udhëzimi administrativ që është duke përgatitur Ministria e Arsimit për bartësit e fushave të arteve dhe për kualifikimet e personelit akademik që ligjëron në këtë Fakultet, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Kurse, për Fakultetin e Bujqësisë në UP në konferencën për media të datës 24.07.2024 ministrja Nagavci kishte thënë se nuk ka marrë akreditimin për të filluar me programet e reja në vitin akademik 2024/2025 për shkak të problemeve ekzistuese me infrastrukturën fizike të Fakultetit.

Me këtë rast ministrja Nagavci kishte folur për objektin e Fakultetit të Bujqësisë të UP-së, për të cilin tha se ka filluar të ndërtohet rreth 8 vjet më parë dhe se Këshilli Drejtues i UP-së e ka dërguar në Prokurori për shkak të pretendimeve se është abuzuar me kontratën e ndërtimit të këtij Fakulteti.

“Ai Fakultet ndonëse janë realizuar pagesat, nuk është ndërtuar asnjëherë. Ka probleme serioze. Unë e kam vizituar para pak kohe dhe për të njëjtën Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht kryesuesi i Këshillit Drejtues tashmë ka dërguar lëndën në Prokurori, sepse ka pretendime për abuzime me kontratën në ndërtim të Fakultetit. Pra përveç se është keqpërdorur me buxhetin e shtetit është rrezikuar edhe akreditimi i programeve të reja” – ka deklaruar ministrja Nagavci më 24.07.2024.

Sipas ministres Nagavci, UP-ja nuk e kishte adresuar me kohë problemin e ndërtimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe këtë vit, rektori i UP-së, Qerim Qerimi, (tashmë ish-rektori) kishte kërkuar që mësimi i studentëve të Fakultetit të Bujqësisë të realizohet në hapësira të tjera deri në finalizimin e objektit të Fakultetit.

“Meqenëse Universiteti për vite tashmë nuk e ka adresuar këtë problem me kohë, sivjet kemi kërkuar dhe bashkë me rektorin Qerimi jemi mobilizuar që të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të mos dështojnë këto programe. Ata kanë sjellë një kërkesë tashmë, kanë identifikuar hapësirat e tjera ku do të mund të realizohet zhvillimi i ligjëratave deri në finalizimin e objektit të Fakultetit dhe është në mandatin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të trajtojë këtë kërkesë” – kishte thënë Nagavci.

Në lidhje me hapësirat ku UP po planifikon të realizohet mësimi i studentëve të Fakultetit të Bujqësisë, prorektorja Njomza Llullaku kishte treguar për KALLXO.com se ato hapësira janë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së (FIEK).

“Hapësirat janë te Fakulteti i FIEK-ut, është një hapësirë që është korridor dhe 4-5 salla që mjaftojnë për me u zhvillu mësimi dhe këto janë si tranzicionale derisa të bëhet objekti që sipas personave që po punojnë në këtë edhe sekretarit (të UP-së) po edhe rektorit, kjo detyrë është e Këshillit Drejtues dhe pritet që do të jetë brenda vitit, të finalizohet objekti me problematikat të cilat i ka pasë” – ka thënë Llullaku.