Nuk u hapën konkurse për pranimin e studentëve, Nagavci tregon se çka po ndodh me Fakultetin e Bujqësisë dhe atë të Arteve në UP

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka folur sot, më 24.07.2024, rreth faktit që Universiteti i Prishtinës ende nuk ka hapur konkurs për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore në Fakultetin e Arteve dhe në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë për vitin akademik 2024/2025.

Ndërsa, Universiteti i Prishtinës ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore të nivelit bachelor për vitin akademik 2024/2025 në dymbëdhjetë fakultetet e tjera më 04.07.2024.

Në një konferencë për media, ministrja Nagavci tha se Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës nuk ka marrë akreditimin për të filluar me programet e reja në vitin akademik 2024/2025 për shkak të problemeve ekzistuese me infrastrukturën fizike të Fakultetit.

Me këtë rast ministrja Nagavci ka folur për objektin e Fakultetit të Bujqësisë të UP-së, për të cilin tha se ka filluar të ndërtohet rreth 8 vjet më parë dhe se Këshilli Drejtues i UP-së e ka dërguar në Prokurori për shkak të pretendimeve se është abuzuar me kontratën e ndërtimit të këtij Fakulteti.

“Ai Fakultet ndonëse janë realizuar pagesat, nuk është ndërtuar asnjëherë. Ka probleme serioze. Unë e kam vizituar para pak kohe dhe për të njëjtën Universiteti i Prishtinës, gjegjësisht kryesuesi i Këshillit Drejtues tashmë ka dërguar lëndën në Prokurori, sepse ka pretendime për abuzime me kontratën në ndërtim të Fakultetit. Pra përveç se është keqpërdorur me buxhetin e shtetit është rrezikuar edhe akreditimi i programeve të reja” – ka deklaruar ministrja Nagavci më 24.07.2024.

Sipas ministres Nagavci, UP-ja nuk e kishte adresuar me kohë problemin e ndërtimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë dhe këtë vit, rektori i UP-së, Qerim Qerimi, ka kërkuar që mësimi i studentëve të Fakultetit të Bujqësisë të realizohet në hapësira të tjera deri në finalizimin e objektit të Fakultetit.

“Meqenëse Universiteti për vite tashmë nuk e ka adresuar këtë problem me kohë, sivjet kemi kërkuar dhe bashkë me rektorin Qerimi jemi mobilizuar që të gjejmë një zgjidhje në mënyrë që të mos dështojnë këto programe. Ata kanë sjellë një kërkesë tashmë, kanë identifikuar hapësirat e tjera ku do të mund të realizohet zhvillimi i ligjëratave deri në finalizimin e objektit të Fakultetit dhe është në mandatin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë që të trajtojë këtë kërkesë” – ka thënë Nagavci.

Si rrjedhojë, ministrja Nagavci i ka ftuar organet kompetente që t’i trajtojnë me kujdes dhe vëmendje të veçantë pretendimet për abuzime me kontratën për ndërtimin e Fakultetit të Bujqësisë të UP-së.

Më tej, Nagavci ka njoftuar se ka kërkuar një vizitë përcjellëse të ekspertëve të cilët kanë vlerësuar akreditimin e programeve të studimit të Fakultetit të Bujqësisë të UP-së.

KALLXO.com ka raportuar se Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, në mbledhjen e datës 20.05.2024, në bazë të raporteve të ekspertëve që kanë vlerësuar akreditimin e programeve të Fakultetit të Bujqësisë ka vendosur që katër programe studimi të këtij Fakultetit të mos i akreditojë për shkak të infrastrukturës që ka ky Fakultet.

Mirëpo, vendimi i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për katër programet e studimit të Fakultetit të Bujqësisë të UP-së nuk është bërë ende publik deri në përfundimin e listës finale të të gjitha programeve të akredituara apo jo, të universiteteve në Kosovë. 

Por, raportet e ekspertëve që kanë vlerësuar akreditimin e programeve të Fakultetit të Bujqësisë të UP-së janë publikuar.

“Kam kërkuar nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, kam dërguar një letër zyrtare për një vizitë përcjellëse të ekspertëve, të cilët do të konstatojnë gjendjen e re me hapësirat të cilat janë ofruar tashmë në dispozicion nga Universiteti i Prishtinës për periudhën njëvjeçare derisa të finalizohen punët në Fakultetin e Bujqësisë” – njoftoi Nagavci.

Kurse, për moshapjen e konkursit për pranimin e studentëve në Fakultetin e Arteve në UP, ministrja Nagavci tha se në dy fakultetet publike të arteve, në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, këto fakultete kanë programe për të cilat pas miratimit të ligjit të ri të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, nevojitet që bartësit të kenë disa kritere kualifikimi.

Se pse është vonuar hapja e konkursit për pranimin e studentëve në Fakultetin e Arteve në UP, prorektorja për akreditim, cilësi të mësimit dhe çështje të studentëve në UP, Njomza Llullaku në një intervistë për KALLXO.com u arsyetua se Ministria e Arsimit është duke rregulluar një udhëzim për kredenicialet e bartësve të programit në Fakultetin e Arteve dhe kjo u ka marrë kohë.

Sipas ministres Nagavci, ata u kanë ofruar zgjidhje Fakultetit të Arteve të UP-së për një periudhë një apo trevjeçare në mënyrë që të akreditohen programet e tyre të studimit.

“Meqë në rastet e caktuara, nisë edhe nga praktikat e vendeve të tjera, jo detyrimisht kërkojnë të njëjtat kualifikime sikurse edhe te profilet të tjera, specifikisht edhe për programe të caktuara, ka bartës aktual të cilët nuk kanë doktoraturën p.sh të përfunduar apo janë në proces të doktoraturës dhe natyrisht në kuadër të kompetencave tona si Ministri, gjegjësisht si ministre e Arsimit kemi shqyrtuar gjithë bazën ligjore për të ofruar lehtësitë për periudhën tranzicionale, gjegjësisht për periudhën një apo trevjeçare” – ka thënë ajo.

Tutje, Nagavci tha se udhëzimi administrativ për bartësit e fushave të arteve të Fakultetit të Arteve të UP-së është punuar nga grupi punues dhe është në shqyrtim nga ana e saj dhe kabinetit të Ministrisë së Arsimit.

“Pas disa konsultimeve përfundimtare me të gjitha palët e interesit, unë besoj që gjatë kësaj jave do të finalizojmë edhe këtë (udhëzim administrativ), duke krijuar mundësi për studentët” – ka përfunduar ajo.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka disa ditë që e ka pyetur Fakultetin e Arteve të UP-së se çka do të ndryshojë udhëzimi administrativ që është duke përgatitur Ministria e Arsimit dhe për kualifikimet e personelit akademik që ligjëron në këtë Fakultet, por nuk ka pranuar përgjigje.     

Në lidhje me hapësirat ku UP po planifikon të realizohet mësimi i studentëve të Fakultetit të Bujqësisë, prorektorja Njomza Llullaku kishte treguar për KALLXO.com se ato hapësira janë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të UP-së (FIEK).

“Hapësirat janë te Fakulteti i FIEK-ut, është një hapësirë që është korridor dhe 4-5 salla që mjaftojnë për me u zhvillu mësimi dhe këto janë si tranzicionale derisa të bëhet objekti që sipas personave që po punojnë në këtë edhe sekretarit (të UP-së) po edhe rektorit, kjo detyrë është e Këshillit Drejtues dhe pritet që do të jetë brenda vitit, të finalizohet objekti me problematikat të cilat i ka pasë” – ka thënë Llullaku.