Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nagavci: 80 euro për librat dhe mjetet shkollore për nxënësit e klasave 1-5, nxënësit e klasave 6-9 do të përdorin tekstet e vitit të kaluar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një video-mesazhi u është drejtuar prindërve lidhur me situatën e krijuar për sigurimin e librave për nxënësit e shkollave fillore.

Ajo ka thënë se për nxënësit nga klasa 1 deri në 5 do të sigurohen tekste të reja.

“Mjetet për sigurimin e këtyre teksteve do të deponohen në llogaritë e prindërve ku për çdo fëmijë prindërit do të subvencionohen me 50 euro për pajisje me tekste dhe 30 euro për materialet mësimore” – ka thënë ministrja.

Ndërkaq, ministrja tha se për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën 9 do të jenë në dispozicion tekstet e vitit paraprak.

Ajo tha se këta libra tashmë ndodhen në shkolla dhe do t’u shpërndahen nxënësve sapo të fillojë viti i ri shkollor.

Nagavci shtoi se për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.

Ministrja njoftoi se nga nesër prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore, teksa shtoi se mjetet do të dalin në xhirollogari nga fillimi i javës së ardhshme.

Ajo tha se platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohen nesër.

Gjithashtu, sipas ministres, çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese dhe lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme.

“Ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë” – tha e para e Ministrisë së Arsimit.

Ajo po ashtu u uroi suksese dhe vit të mbarë fëmijëve në vitin e ri shkollor 2023/2024.

Nagavci më 21 gusht 2023 kishte njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova.