Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. FOTO: KALLXO.com

Ministrja Nagavci prezantoi punën në arsim gjatë vitit 2023

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka prezantuar punën dhe sfidat në arsim përgjatë vitit 2023. Sipas ministres Nagavci, rishikimi i teksteve shkollore, miratimi i ligjit për edukimin në fëmijërinë e hershme, hartimi i kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme, janë ndër veprimet kryesore të Ministrisë së Arsimit gjatë vitit 2023.

Pavarësisht se këtë vit, arsimi në Kosovë është përballur me një vit shkollor sfidues pas idesë së Ministrisë së Arsimit të prezantuar më 21 gusht, 10 ditë pa filluar viti shkollor, që prindërit t’i blejnë librat dhe më pas të subvencionohen përmes platformës e-Kosova.

Përgjatë kësaj konference, ministrja Nagavci ka përmendur obligimin e ndjekjes së edukimit parafillor nga nxënësit duke filluar nga viti i ardhshëm dhe nënshtrimit të mësimdhënësve në një provim në qershor të vitit 2024.

Ministrja Nagavci e ka filluar konferencën me arsimin dual, të cilin e konsideron si një çështje tejet të rëndësishme, pasi ndërlidhë arsimin profesional me tregun e punës.

“Vitin e kaluar e filluam për herë të parë implementimin e mësimit dual në katër profile në tri komuna të ndryshme, dhe pas përfundimit me sukses të këtij viti në këto 4 profile sivjet e zgjeruam arsimin dual me 8 profile të reja” – ka thënë ministrja Nagavci.

Profilet si kuzhinier, asistent i mikpritjes hoteliere, floktar, murator, rrobaqepësi, automekanik, metalpërpunues, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregti me shumicë dhe pakicë, dhe profili i estetistit, ndërsa synimet e Ministrisë së Arsimit janë që të fillojnë edhe me profile të reja të nevojshme për tregun e punës.

Një punë tjetër e Ministrisë së Arsimit që ka filluar në prill të këtij viti, është rishikimi i teksteve shkollore.

Sipas ministres Nagavci, tekstet shkollore ndër vite janë përcjellur me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë edhe aspektin përmbajtësor, teknik e drejtshkrimor të tyre. Në fazën e parë janë rishikuar 38 tekste, nga gjuha shqipe dhe matematika për klasat 1 deri 9.

“Akoma përmbajtjet mësimore në tekstet tona ofrojnë një mësim të dekonstektualizuar dhe teorik. Mjaftueshëm teskte shkollore fokusohen në mësimin përmendësh. Në shumicën e teksteve të analizuara janë gjetur dhe vazhdojnë të gjenden gabime drejtshkrimore, përkufizime konfuze dhe mungesë e qartësisë në ritmin e të nxënit” – ka theksuar ministrja Nagavci.

Synimi i Ministrisë së Arsimit në vitin e ardhshëm është që këto tekste t’i kenë të përmirësuara.

Sa i përket buxhetit për arsim gjatë viti 2024, ministrja Nagavci ka përmendur se janë planifikuar 408 milionë e 988,408 euro, shumë kjo që sipas ministres Nagavci e tregon përkushtimin e Qeverisë për arsimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar dhe universitar.

Ndërsa, buxheti për arsim në komuna është rritur për 277 milionë e 157,385 euro.

Sipas ligjit të ri, edukimi parafillor në vitin e ardhshëm shkollor do të bëhet i obliguar. 

Në shkencë, ka përmendur miratimin e Programit Kombëtar të Shkencës për vitin 2023 – 2028, i cili është në shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

“Ky program vjen pas dikun rreth një dekade pasive të planit kombëtar të Shkencës. Ky program në mënyrë aktive e shtron rrugën për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe atyre të infrastruktutrës në Kosovë duke ndikuar direkt në rritjen e pjesëmarrës së institucioneve kosovare dhe hulumtuesve tanë për kërkime shkencore dhe inovacion në zonën evropiane” – ka deklaruar ministrja Nagavci.

Në përkrahje të nxënësve me aftësi të jashtëzakonshme, ministrja Nagavci tha se kanë ndarë 170,000 euro për organizata të shoqërisë civile, të cilët punojnë me këta fëmijë.

Në nëntor të këtij viti për rreth një javë rresht, më shumë se 300 shkolla vullnetare realizuan iniciativën globale të orës së koditimit. Kjo orë kishte për synim krijimin e kushteve të një lëvizje globale, që i inkurajon të gjithë të mësojnë kodimin.

Sa i përket përkrahjes së nxënësve dhe studentëve, janë ndarë disa bursa.

1882 studente vajza dhe gra, të cilat studiojnë në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (apo STEM) kanë përfituar bursë në vlerë 1,000 euro.

1647 studentë në nivelin bachelor dhe master në universitetet publike të Kosovës, me notë mesatare 9 kanë fituar nga 1,000 euro.

28 studentë me aftësi të kufizuara kanë përfituar bursë nga 1,000 euro.

55 studentë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian kanë përfituar po ashtu nga bursa nga 1,000 euro.

Në shkollimin e mesëm, për nxënësit që të vijojnë drejtimet deficitare kanë ofruar 70 bursa për një vit shkollor, me vlerë 500 euro.

Një nga premtimet e qeverisë në pushtet ka qenë investimi në çerdhe. 

“Gjatë vitit 2023 ka përfunduar ndëritmi i çerdheve në Suharekë dhe Prizren, po vazhdon ndërtimi i 12 çerdheve të reja dhe 6 të tjera të cilat i kemi me projekte nga BE-ja. Këtë vit janë kontraktuar për ndërtim edhe 6 çerdhe të reja dhe kemi përfunduar adaptimin e 3 shkollave, objekteve të shkollave në çerdhe.është kontraktuar adaptimi edhe i 5 shkollave, të cilat do të shndërrohen në çerdhe për fëmijë” – ka numëruar ministrja Nagavci.

Kurse, sa i përket ndërtimit të shkollave, ajo ka thënë se e kanë përfunduar ndërtimin e 6 objekteve shkollore, ndërsa po vazhdon ndërtimi i 15 shkollave të tjera të reja.

Më tej, ministrja ka përmendur subvencionim e prindërve për tekstet shkollore, ku për nxënësit nga klasa 1 deri 5 i kanë ndarë nga 80 euro, 50 për tekstet shkollore dhe 30 për mjetet mësimore. Ndërsa për nxënësit nga klasa 6 deri 9, të cilët i kanë shfrytëzuar tekstet e vitit paraprak, janë ofruar nga 30 euro për materialet shkollore.

“Për tekstet shkollore nga klasa 1 – 5 kanë aplikuar gjithsej 194,660 prindër prej tyre përfitues janë 115,014 prindër, vlera totale e pagesës është 5 milionë e 750,700 euro. Pjesa më e madhe e prindërve, mbi 90% e atyre që kanë aplikuar janë subvencionuar” – ka thënë ministrja Nagavci.

Për të dytin vit me radhë janë siguruar tekstet në gjuhën shqipe për nxënësit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Ajo ka folur edhe për rezultatet e Kosovës në testin PISA 2022, të cilat sipas saj, e kanë rikonfirmuar edhe njëherë atë që ka qenë e ditur edhe nga rezultatet paraprake për cilësin në arsim. 

Ndërkaq, prej qershorit të vitit të ardhshëm synojnë provimin e mësimdhënësve për avansim të tyre.

Ministrja Nagavci bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2023 nga 1 janari kanë ndarë buxhetin për punësimin e specialistëve për teknologji informative për komunat, mirëpo nuk është punësuar asnjë.

E njëjta gjendja ka qenë edhe me punësimin e 58 këshilltarëve të karrierës, për nxënësit e klasës gjashtë deri nëntë, pra as këta këshilltar nuk janë punësuar.

“Presim që nga janari i vitit të ardhshëm të hapen konkurset dhe të krjijohen mundësit për punësimin e stafit. Përndryshe, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do ta trajtojmë shumë seriozisht këtë mosmenaxhim të buxhetit sipas qëllimit për të cilin edhe është votuar në Kuvend” – ka shtuar ministrja Nagavci.