Mushkolaj: Dezinformatat ndodhin edhe në mungesë të profesionalizmit

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara, KMShK, në panelin e diskutimit për raportin e deziforimit, “Vorbulla e Rrenave”, ka thënë se dezinformatat shpërndahen edhe në mungesë të profesionalizmit.

“Është e vërtetë ajo se çka u tha në raport, që në Kosovë vijnë komunikata nga Kremlini. Dua të bëjë një dallim që deziformatat shpërndahen me qëllim por edhe disa pa qëllim deziformimi por në mungesë të profesionalizmit. Në media punojnë një numër i madh i gazetarëve që në mungesë të një pune, themelojnë një media dhe s’kanë përvojë dhe njerëz me përvojë dhe në punën e tyre prodhojnë produkt që nuk është profesional”, – tha Mushkolaj.

Problem tjetër sipas Mushkolajt është edhe mungesa e verifikimit të fakteve.

Ai ka thënë se këtë duhet ta bëjnë të gjitha mediat.

“Është dhe elementi i mungesës së verifikimit të fakteve, kjo është një procedurë shumë e zakonshme që do të duhej ta bëj çdo media. E kemi një të drejtë dhe frikë prej ndihmës që mundet me na dhënë shteti, por besoj që na duhemi me e heq këtë drojë për me luftu deziformimin. Ne kemi bërë rezistencë që shteti të mos ndërhyjë dhe kërkoj favore dhe kjo është e natyrshme por në këtë rast shteti duhet me kriju programe për edukim medial dhe është gjë tjetër ne si i inkorporojmë ato. Shteti duhet të fus në shkolla edukimin medial” – tha tutje Mushkolaj.

Rjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN ka prezantuar sot Raportin e Deziformimit, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativet e tij.

I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Raporti i Dezinformimit ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka tek qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë, ‘“Vorbulla e rrenave”.