A e respektuan gazetarët kodin e etikës gjatë raportimit për vrasjen në Podujevë?

Të dhëna të ndryshme personale, duke filluar nga emrat, mbiemrat, shkollimi, vendi ku jetojnë e deri te masat ndëshkuese me të cilat mund të ishin përballur dy të miturit që dyshohen se janë të përfshirë në rrahjen brutale e cila pati pasojë vdekjen e të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë u publikuan nga media të ndryshme online gjatë gjithë javës. 

Këto të dhëna në bazë të Kodit të drejtësisë për të mitur janë konfidenciale për shkak se të dyshuarit janë nën moshën madhore dhe të njëjtat duhet të publikohen vetëm në rastet kur autorizon gjykata. 

Në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutua për rrezikun nga publikumi i këtyre informacioneve dhe dëmeve që mund të shkaktojnë ato në rehabilitim dhe risocializim të të miturve pasi të kryejnë masat ndëshkuese. 

Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, kritikoi fillimisht qasjen që ka pasur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kur doli dhe dha informacione që zbulojnë rrethana të ndryshme për një të mitur që dyshohet se është i përfshirë në rast. 

Kryetari Bulliqi në mbledhjen që u mbajt në fillim të javës në Komunën e Podujevës me Këshillin për Siguri në Bashkësi mori informacione nga organet e rendit për rastin tragjik në këtë komunë e më pas nuk e pati problem që të njëjtat ndonëse jo në formë të detajuar, t’i paraqesë në një konferencë para gazetarëve. 

Mushkolaj tha se ky veprim është joprofesional.

“Kryetari më shumë tingëlloi si një prokuror sesa një kryetar. Ai nuk ka pasur nevojë me dalë në këtë konferencë, është totalisht e panevojshme. Normalisht ai mundet me i mbledhë zyrtarët komunalë, drejtorët, me diskutu por jo me thirrë konferencë për shtyp e me tregu të dhëna edhe personale apo duke zbulu rrethana të tjera të cilat identiifkojnë personat e mitur dhe në anën tjetër duke tregu historinë e njërit apo dy të miturve që janë përfshirë në vepër penale”- tha Mushkolaj në debat.

Tutje ai shtoi se raportimi etik nga ana e gazetarëve është e rregulluar me udhëzime e kode të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit për Mediat e Shkruara.

“Mediat asnjëherë nuk duhet të publikojnë emrin, atësinë apo amësinë, mbiemrin, fotografinë, video apo imazhe të tjera të fëmijëvë nën moshën 18-vjeçare, të cilat janë të përfshira apo ndërlidhur me aksidente, incidente, dhunë, vepra penale, fatkeqësi natyrore apo veprime të tjera dhe po ashtu moszbulimin e rrethanave të tjera që mund të identifikojë fëmijën, vendi ku banon, shkolla që vijon, lagjja ku banon. Pra është e përcaktuar saktë se si duhet me raportu media”- citoi Mushkolaj një nga pikat e Komisionit për Mediat e Shkruara. 

Ai thotë se raportimi joprofesional nga ana e gazetarëve nuk është parë vetëm në ngjarjen e fundit të regjistruar në Podujevë. 

“Nuk është hera e parë që në raste të ngjashme mediat shkojnë përtej respektimit të kodit ose edhe gjejnë arsye që me e publiku edhe pamje të cilat nuk përkojnë me kodin. Nuk është çështje financiare kjo, besoj që më shumë është kjo te logjika e publikimit të diçkaje përpara dikujt si një ekskluzive, po flas në logjikën e mediave, por në anën tjetër prapë është e rëndësishme debati që përtej publikimit të videove dhe pamjeve të tilla në raport me kodin se si duhet të raportohet debati i interesit publik” – shton ai. 

Ish-anëtarja e Komisionit të Pavarur të Mediave, e cila për një kohë të gjatë kishte punuar edhe si gazetare e BBC-së, Violetë Hysenaj, thotë se gazetarët thyen të gjitha parimet e kodit etik gjatë raportimit mbi ngjarjen në Podujevë. 

“Nuk ka diskutim që kemi të bëjmë me shkelje të kodit të etikës në gazetari. Edhe si ish-anëtare e KPM por edhe ish-gazetare mund të them me përgjegjësi të plotë që mediat e kanë shkelur kodin e etikës, por edhe me publikimin e deklaratave që janë bërë edhe nga autoritetet duke shpalosur të dhëna të cilat kanë qenë krejtësisht të panevojshme”- thotë Hysenaj.
Violete Hysenaj, Foto Kallxo.com

Ajo shtoi se rregullat përcaktojnë qartë se kur kemi të bëjmë me fëmijë apo të mitur mediat duhet të jenë të kujdesshëm se çka duhet të raportojnë.

“Ky ka qenë një rast i rëndë dhe duhet marrë parasysh edhe pesha e çdo deklarate publike, duke raportuar nganjëherë ndoshta edhe gazetarët harrojnë që ata njerëz kanë edhe familje dhe si e përjetojnë edhe familjarët dhe rrethi i tyre”- shton ajo.

Hysenaj përmendi edhe faktin se të miturit pasi të kryejnë dënimet apo masat sërish do të kthehen në shoqëri dhe mund të ekzistojë rreziku që të njëjtit të përballen me gjykime. 

“Në vend të kësaj debati më shumë do të duhej të fokusohej se pse ndodhin fenomene të tilla në mënyrë që të ndërmirren masa të mos ndodhin ngjarje të tilla”- përfundon Hysenaj. 

Kameramani i agjencisë “Associated Press”, Sylejman Kllokoqi, fajëson redaktorët dhe pronarët e mediave për lëshimet e gazetarëve në detaje konfidenciale. 

“Mua më duket se këtu në Kosovë aq shumë ka televizione dhe po më duket se po bëjnë gara mes vete. Etikën nuk e kanë, këtu është problemi, nuk është shumë i gazetarëve problemi sepse ata nuk i dinë rregullat, faji është më shumë te redaktori apo kryeredaktori. Këta duhet me i ditë ligjet, çka guxon dhe deri ku guxon. Në mediat ndërkombëtare në qoftë se unë bëj ndonjë gabim të këtij lloji vijnë dënime shumë të ashpra, nuk guxon me botu diçka dhe hajt atje janë ligjet dhe ndërmerren”- tha Kllokoqi.

 

Sylejman Kllokoqi, AP, Foto:Kallxo.com

Eksperti ligjor dhe drejtori i Zyrës Ligjore në KALLXO.com, Labinot Leposhtica, ka thënë se mediat zakonisht përdorin arsyetimin e interesit publik ndonëse në shumë pak raste mund të shfrytëzohet kjo çështjeje sidomos në publikimin e pamjeve apo informacioneve konfidenciale. 

“Realisht interesi publik është një diçka, një togfjalësh që e dëgjoj jashtëzakonisht shpesh, mirëpo teper rrallë, mos me thanë në raste që mundem me i numëru në gishta, kam parë ndërmarrje të një veprimi të mbështjellë me interes publik dhe të arsyetuar. Kjo është një diçka që ne si diçka duhet ta arsyetojmë dhe kontekstualizojmë”- tha Leposhtica. 

Ai tha se publikimi i pamjeve pa u mbuluar fytyrat të miturve dhe pa pasur shënim se ka përmbajtje shqetësuese, ka qenë shkelje e rëndë e kodit të etikës për gazetarët.

“Te rasti konkret, publikimi i pamjeve pashmangshëm konsideroj që ka qenë një shkelje goxha e rëndë, aq më tepër që nuk ka pasur as edhe një kufizim të vetëm në drejtim ndoshta të mbulimit të fytyrave, apo edhe shënimin e paralajmërimit që është diçka esenciale kur vendosim me publiku pamje të cilat janë tronditëse, shqetësuese dhe aq më shumë kur dihet që nuk kemi filtra sepse e kemi parasysh që edhe fëmijët e moshave të vogla munden me pasë qasje në ato pamje dhe janë publiku pa asnjë filtër duke u thirrur në interesin publik”- tha Leposhtica.

Më 14 janar 2024, një i ri u rrah brutalisht ndërsa dy të dyshuar të mitur tashmë janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim për këtë ngjarje.

Lulzim Fejzullahu vdiq gjashtë ditë më vonë në QKUK. 

Debati ndryshoi kahje kur në media u publikuan lajme se Policia kishte raportuar se ngjarja ishte raportuar si therje me thikë ndërsa i riu nga Podujeva ishte rrahur brutalisht dhe kishte pësuar lëndime të rënda. 

Tutje ishte drejtori i repartit intensiv, Shaqir Uka, i cili në një bisedë me KALLXO.com ka treguar se viktima nuk kishte pasur asnjë shenjë të therjes me thikë ashtu siç kishte pretenduar edhe raporti policor. 

Kjo më pas shtoi edhe dilema të tjera ndërsa në media u publikuan pamjet pa asnjë censurë apo përshkrim se përmbanin dhunë dhe ishin pamje të rënda. 

Gjatë gjithë javës debati vazhdoi duke u fokusuar në lëshimet e Policisë në raportin e shpejtë e deri te arsyetimi i tyre se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për rastin. 

KALLXO.com ka publikuar një shkrim të gjatë nga një dokument që ka siguruar në të cilin përmendeshin të gjitha veprimet e njësive policore që kishin ndërmarrë për rastin, nga marrja e informacionit deri te largimi nga vendi i ngjarjes. 

Kryetari i Komunës së Podujevës pas vdekjes së të riut nga rrahja brutale thirri një mbledhje të Këshillit për Siguri në Bashkësi, në të cilën u diskutua rasti në fjalë por edhe siguria e përgjithshme. 

Mbledhja u mbajt e mbyllur për gazetarë ndërsa më pas kryetari mbajti një konferencë për media, ku dha edhe detaje e të dhëna të cilat zbulonin rrethanat e rastit ku ishin përfshirë të miturit.