Konferenca e jashtëzakonshme e AGK-së dhe KMSHK-së, Foto: KALLXO.com

Mushkolaj për propozimet e qeverisë për ligjin e KPM-së: Prekin demokracinë e vendit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës ka thirrur sot konferencë të jashtëzakonshme për media mbi ndryshimet e propozuara për Ligjin e ri të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Imer Mushkolaj nga Këshilli i Mediave të Shkruara i ka quajtur propozimet e qeverisë për ligjin e ri të KPM-së si përpjekje për të vënë nën kontroll mediat online.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të tërheq projektligjin për KPM-në.

“I bëjmë thirrje qeverisë me tërheq këtë projektligj, nuk po synojmë me thënë që mediat mund të bëjnë çfarë do, kjo është një rrenë që është provu me u shitë si e vërtetë. Këto shqetësime mund të adresohen si në KPM si në KMSHK e jo përmes një projektligji ku media online të kontrollohet”- tha ai.

Mushkolaj tha se këto propozimet prekin demokracinë e vendit ndërsa ka për qëllim dobësimin e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

“Kjo vetëm që na prek si media në Kosovë por ka të bëjë edhe me demokracinë. Kjo është një tentativë për t’i kontrolluar mediat online përmes ligjit. Qëllimi i ligjit të KPM-së është dobësimi i Këshillit, jemi tu fol për një qasje të kundërt çfarë ndodhë në Evropë”- tha Mushkolaj në konferencën për media.

Mushkolaj e ka konsideruar, ‘deja vu’ situatën në Kosovë me atë të Shqipërisë, sa i përket kontrollimit të mediave online.

“Kjo është një ‘deja vu’ çka ka provu me bë Edi Rama në Shqipëri. Kjo po synohet me u bë në Kosovë dhe po keqinterpretohet direktiva e BE-së. Kjo është përpjekje për t’i vënë mediat nën kontrollë”- theksoi ai.

Edhe kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha i ka quajtur këto propozime përpjekje të qeverisë për t’i kontrolluar mediat online që kanë përmbajtje të videove.

Rexha tha se kjo është sulm ndaj lirisë së mediave.

Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend projektligjin i cili synon që video dhe audio-materialet e publikuara në platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM).

Ky projektligj i dorëzuar më 27 janar të vitit 2023 parasheh që platformat për shpërndarje të video-materialeve dhe mediat online t’i nënshtrohen regjistrimit nga KPM-ja nëse dëshirojnë të publikojnë audio dhe video materiale.

Neni 4 saktëson se për të shpërndarë video, platformat për shpërndarje të videove dhe mediat online duhet t’i nënshtrohen aplikimit për regjistrim respektivisht licencimit në KPM, proces ky që kërkon një certifikatë biznesi në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe vërtetime nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Mediat online deri më tani funksiononin si biznese pa nevojë për regjistrim pranë KPM-së, ndërsa dëshmonin zotimin për etikë duke qenë anëtarë të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

Ligji i ri për KPM-në synon të vë rregull në videot e mediave online