Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

MPJD: Asnjë shtetas kosovar në Izrael nuk ka pësuar lëndime, nuk ka pasur vështirësi në lëvizje apo vështirësi të çdo natyre tjetër

Dymbëdhjetë shtetas shqiptarë dhe tre nxënës nga Kosova, që ndodheshin në Izrael në kohën kur Irani kreu sulm ndaj Izraelit, pritet të kthehen sonte, bëri të ditur më 15.04.2024 Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se evakuimi i tre kosovarëve është bërë në bashkëpunim mes Ambasadës së Kosovës në Izrael dhe asaj të Shqipërisë.

“Evakuimi i tre kosovarëve nga Izraeli, të cilët, së bashku me 12 shtetas të Shqipërisë gjenden në Qipro, në rrugën drejt Shqipërisë dhe Kosovës, është kryer në bashkëpunim të ngushtë në mes të Ambasadës së RKS dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael”- tha MPJD për KALLXO.com.

MPJD bëri të ditur se ka vazhduar komunikimi i rregullt me shtetasit e tjerë kosovarë që janë në territorin izraelit duke iu ofruar ndihmë për largim.

“Gjithashtu Ambasada e Republikës së Kosovës ka vazhduar komunikimin e rregullt me shtetasit tjerë qe ndodhen ende në territor dhe sipas kërkesave të tyre ju kemi ofruar ndihmë për largim, duke siguruar aranzhimin e biletave dhe ndihmë logjistike”- thuhet në përgjigjet e MPJD.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës tha se deri më tani nuk ka asnjë shtetas kosovar të lënduar nga zhvillimet e fundit në Izrael.

Ndërsa në Izrael aktualisht gjenden 15 qytetarë të Kosovës por që nuk kanë treguar interesim për t’u larguar, bën të ditur Ministria.

“Ju rikonfirmojmë se asnjë shtetas kosovar nuk ka pësuar lëndime, nuk ka patur vështirësi në lëvizje apo vështirësi të çdo natyre tjetër. Me gjithë vështirësitë dhe restriksionet, linjat e fluturimit në përgjithësi kanë filluar te stabilizohen, pasi nuk pritet së shpejti ndonjë sulm tjetër i natyrës së ngjashme. Në Izrael gjenden edhe rreth 15 qytetarë nga Kosova por që nuk kanë treguar interesimin për t’u larguar nga Izraeli”- thekson MPJD.

Mbrëmjen mes 13 dhe 14 prillit, Irani sulmoi Izraelin me dronë dhe raketa, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e iraniane në Siri, më 1 prill.

Izraeli që nga 7 tetori 2023 po zhvillon luftë në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pasi grupi radikal kreu sulm vdekjeprurës në jug të Izraelit.

Shqipëria evakuon 15 persona nga Izraeli, tre prej tyre nga Kosova