Momenti kur Thaçi doli nga Specialja, me dorën në xhep

Pas rreth gjashtë orësh intervistim në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, presidenti Hashim Thaçi në orët e pasditës të së hënës doli nga Gjykata me dorë në xhep, si dhe me një çantë në krah.

Duke iu drejtuar gazetarëve pranë selisë së Gjykatës Speciale në Hagë, presidenti pati një adresim të shkurtër rreth marrjes në pyetje.

Ai bëri të ditur se intervistimi i tij do të vazhdojë edhe të martën.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbime e teknalitetieve të ndryshme në mes avokatit z. Prosper dhe prokurorëve, do të thotë çështje sqaruese teknike, e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që do të vazhdon nesër”, tha presidenti për t’u larguar menjëherë nga paraqitja para mediave.

Ftesa për intervistimin e Thaçit ka ardhur pas njoftimit për aktakuzë ndaj tij për krime kundër njerëzimit nga Prokurori i Specializuar, edhe pse aktakuza ndaj tij ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë nga gjyqtari.